Google ADS

Rreth 100 zyrtarë policorë dhanë dorëheqje gjatë vitit 2022

11:23 | 22 Janar 2023

Rreth 100 zyrtarë policorë kanë braktisur institucionin e Policisë së Kosovës gjatë vitit 2022.

Ata kanë dhënë dorëheqje nga ky institucion në mënyrë vullnetare dhe për arsyet e tyre personal, raporton arbresh.info.

Këtë e ka bërë të ditur për arbresh.info kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Sipas tij, motivet e këtyre dorëheqjve kanë ardhur kryesisht si shkak i pagave të ulëta, si dhe mungesa e kushteve të tjera.

“Menaxhmenti i Policisë me Departamentet e veta, për aq sa ka mundësi buxhetore ofron kushte për plotësimin e nevojave logjistike edhe pse kushtet buxhetore janë të kufizuara. Arsyet e dorëheqjeve janë: paga e ultë, mungesa e shujtës, sigurimi shëndetësor ende i pa realizuar etj”, ka thënë Zeqiri.

Policët që japin  dorëheqje një herë nga pozuta e tyre, sipas tij, nuk kanë mundësi të dytë për rikthim në vendin e tyre të punës.

“Sipas një udhëzimi administrativ i hyr në fuqi që nga viti 2018, policët që japin dorëheqje nuk u lejohet kthimi në punë”, tregon Zeqiri.

Sipas kreut të Sindikatës së Policisë së Kosovës, aktualisht në këtë institucion janë rreth 8000 zyrtarë policorë, duke mos i llogaritur edhe pjesëtarët serbë të policisë që dhanë dorëheqje në fund të vitit të kaluar.

Për Zeqirin, numri prej 8mijë zyrtarëve policorë sa janë aktualisht në Kosovë, mund t’ i kryej detyrat e tyre pa pengesa dhe është numër i mjaftueshëm.

Shala: Largimi vullnetarë i policëve po dëshmon se në këtë institucion ka një strukturë ku  mungon meritokracia

Në anën tjetër njohësit e çështjeve të sigurisë pohojnë se numri prej 100 zyrtarëve policorë që janë dorëhequr nga ky institucion, tregon se aty mungon meritokracia.

Njohësi i kësaj fushe, Drizan Shala, thotë se largimi vullnetarë i policëve nga shërbimi, po dëshmon se në këtë institucion ka një strukturë ku nuk zbatohet meritokracia.

“Në lidhje me një trend të 5 viteve të fundit të largimit “vullnetar” nga shërbimi po dëshmon që në kuadër të këtij institucioni kemi një strukturë e cila nuk e zbaton meritokracinë si kusht fundamental për të garantuar cilësi dhe përkushtim ndaj shërbimit por edhe detyrave që i kanë për sigurinë e përgjithshme”, thotë Shala.

Sipas tij, arsyeja kryesor  pse mbi 30%  e zyrtarëve policore kanë qëllime për tu dorëhequr në mënyrë vullnetare nga shërbimi, qëndron në faktin që grupet brenda policisë kanë kontribuar që shumë zyrtar të mos marrin mirënjohjen e duhur dhe përkushtimin që duhet ta ketë struktura organizative. Duke shtuar se janë trajtuar vetëm si element për të përmbushur politikat e tyre duke mos ju dhënë hapësirë meritor.

“Policia e Kosovës në situatën që gjendet tani për tani ku është e ndërlidhur kodi buxhetor i MPB-se me të policisë, duke mos garantuar sovranitet financiar nga niveli politik atëherë mos kujdesi në aspektin financiar, social ndaj zyrtareve ndikon që trendi i dorëheqjes është në progres të lartë”, ka thënë Shala.

Shala, thotë së paga bazë tani që është 293 euro ( përafërsisht ) nuk kontribuon dhe është demotivues për të përmbushur nevojat elementare për zyrtarin policor dhe lejuar me vetëdije të jetë i atakuar nga grupet kriminale për të kontribuar dhe shërbyer atyre.

“Paga bazë do të duhej të jete 550 euro duke llogarit plus rrezikshmëria, puna jashtë orarit e jo siç është deri tani në vend të orëve të tepërt zyrtarët marrin pushim sepse shërbimi nuk mund ti kompensojë për arsye të mungesës se kodit financiar të veçantë. Sipas rregulloreve të brendshme ekziston hapësira administrative që nga momenti i dhënies së dorëheqjes nga detyra në afatin brenda 30 dite punë mund të tërheq kërkesën për lirim dhe kështu do të mund të kthehet në pozitën që ka pasur apo në ndonjë pozitë ekuivalent me gradën që ka”, thotë Shala.

Ndryshe, në fillim të shtatorit  Lista Serbe bëri të ditur se kanë vendosur që të largohen nga të gjitha institucionet politike në Kosovë.

Ky vendim për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës u mor nga serbët pas largimit nga puna të komandantit të policisë në veri, Nenad Gjuriq, i cili kishte deklaruar se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëve qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.

Mbi 600 zyrtarë policorë nga komuniteti serb dhanë dorëheqje nga detyrat e tyre. Vendet e tyre të punës i lëshuan edhe serbët në Doganën e Kosovës dhe institucionet e tjera. / arbresh.info/ Vjollca Gajraku/

Të ngjashme