Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot ka nisur rinumërimi i 914 vendvotimeve, ku është zhvilluar procesi i rregullt i votimit, me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ky process pritet të marrë deri në 2 javë kohë.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar se brenda një dite planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80 vendvotime.
“Në QNR numërimi do të bëhet në 20 tavolina numërimi dhe brenda një dite planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80 kuti votimi. Numërimi i 914 vendvotimeve, që përbënë 36% të vendvotimeve, mund të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë”, ka deklaruar Elezi.
Elezi ka sqaruar se rinumërimi nuk do të zhvillohet njëjtë, pasi vendimi i KQZ-së parasheh qasje të ndryshme në varësi të komunës.
“Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut)”, theksoi ai.
Vendimi për rinumërim është marrë pas identifikimit të mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë në disa vendvotime.
“Ky vendim i KQZ-së vjen pas gjetjeve nga verifkimi i votave të kandidatëve për deputetë nga 33 vendvotime të ndryshme, ku rezulon se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, ka theksuar Elezi.
Vendimi i KQZ-së për rinumërimin e 914 vendvotimeve erdhi pas paraqitjes së një raporti nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2% të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025.
Sipas këtij raporti, më 10 janar 2026, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.
Pas këtyre evidentimeve, SKQZ ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Deri në përfundim të ditës së hënë, 12 janar 2026, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.
Policia jep detaje për vdekjen e punëtorit 50-vjeçar nga god...
Bllokimi i aksit Librazhd-Përrenjas/ Rama: Fatkeqësi natyror...
Donjeta Sadiku sot sfidon brazilianen në finalen e madhe të ...
Sulmet ndaj Iranit, raportohet për 19,000 fluturime të vonua...
Drama e opinionisteve: Leonora dhe Olta fshijnë njëra-tjetrë...
Pesë të arrestuar për vrasjet e 1998-ës në Syriganë të Skënd...