Rexhepi: Padia në Strasburg, hap i rëndësishëm për shqiptarët e Luginës

22:22 | 2 Mars 2026
E.H

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Enkel Rexhepi ka vlerësuar padinë e ngritur ndaj Serbisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

“Regjistrimi i padisë kundër Serbisë në Gjykatën e Strasburgut për pasivizimin e adresave përbën hap të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës”, ka vlerësuar Rexhepi.

Ai më tej ka thënë se kjo është një iniciativë që vjen si vazhdimësi e angazhimit institucional nga Këshilli.

“Rasti është iniciuar dhe mbështetur nga zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar, me përgatitjen profesionale të avokatit Drin Grazhdani dhe përfaqësimit të Teuta Fazliut. Mbetemi të përkushtuar që këtë çështje ta ndjekim deri në fund në mbrojtje e barazisë para ligjit dhe ndalimit të praktikave diskriminuese që ndodhin në Serbi”, ka thënë ai.

Sot Teuta Fazliu, banore e Luginës së Preshevës, ka paditur Serbinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke pretenduar diskriminim përmes shlyerjes së adresës së vendbanimit. Ajo tha se kjo është hera e parë që Gjykata e Strasburgut shqyrton një lëndë të tillë.

“Kam ndjekur të gjitha procedurat ligjore, të gjitha mekanizmat i kam shtjerr në Serbi deri në instancën më të lartë, Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit ka nxjerrë një vendim që nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa si pasojë e këtij pasivizimi më kanë larguar edhe nga lista e votuesve që s’kam mundur nga nga 2020 më të votoj as në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare dhe pas një zvarritje të gjatë pesëvjeçare domethënë në qershor bëhen gjashtë vite të gjykatave të Serbisë unë kam marrë përgjigjen e fundit dhe kam vazhduar në Gjykatën e Strasburgut”, tha ajo për RTK-në.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme