Google ADS

Rexhepi: Boja udhëhoqi BIK-un me shumë sukses në periudhën më të vështirë falë këmbëngulësisë së tij

00:09 | 15 Shtator 2021
Trina Galanxhi

Sot në moshën 75 vjeçare ka vdekur ish-myftiu i Bashkësisë Islame, Rexhep Boja, i cili këtë post e ka ushtruar për 13 vjet.

E si njeri të urtë dhe të sinqertë e kujton Resul Rexhepi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kryesisë së Bashkësisë Islame.

Ai në një intervistë të dhënë për Klan Kosova ka thënë se lajmi i vdekjes së Bojës e ka tronditur.

“Lajmi për kalimin në botën e amshueshme të doktor Rexhep efendi Bojës natyrisht që ka qenë mjaft tronditës, ndonëse unë ka 10 ditë që kam qenë vazhdimisht i informuar për gjendjen e tij shëndetësore në spitalin ku ka qenë i shtrirë”.

Rexhep Boja në krye të kryesisë së Bashkësisë Islame kishte ardhur në vitin 1990, derisa kishte qenë edhe profesor në medresenë “Alauddin” në Prishtinë dhe imam në Pejë.

Sipas Rexhepit, Boja ia ka dalë me sukses ta përfundojë misionin e tij.

“Ardhja e Rexhep Bojës në periudhën 1990 – 2003 ka qenë periudha më e vështirë në të cilën ka kaluar Kosova dhe i gjithë populli. Por falë këmbëngulësisë, falë sinqeritetit, falë parimeve e bashkëpunimit me liderët e asaj kohe ka dalë që me shumë suksese ta udhëheqë Bashkësinë Islame dhe myslimanët”.

“Edhe para luftës edhe pas luftës ka pasë relacione të mira me të gjithë udhëheqësit, duke filluar nga Ibrahim Rugova e këtej. Me të gjithë e ka gjetë gjuhën e përbashkët dhe ka bashkëpunuar me ta”.

Boja, sipas Rexhepit, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në themelimin e Fakultetit të Studimeve Islame që ishte hapur në Prishtinë më 1992.

Për ushtrimin e detyrës si ambasador në Arabinë Saudite, Rexhepi ka thënë se Boja ka qenë prezantuesi më i mire dhe më i denjë i gjendjes së atëhershme politike në Kosovë dhe më gjerë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme