Ragip Xhaka zgjidhet kryetar i degës së PDK-së në Zvicër

20:11 | 14 Maj 2022

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me bashkëpunëtorë, ka qëndruar sot në Aargau të Zvicrës, ku u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së PDK-së.

Gjatë fjalimit të tij, Krasniqi falënderoi bashkatdhetarët për pritjen madhështore duke thënë se mërgatën tonë dhe origjinën e Partisë Demokratike, para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e shenjtë për liri dhe kontributi e rrugëtimi i përbashkët në ditët e lavdisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Qysh para gati 30 vitesh tashmë, pikërisht këtu në Zvicër, liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me ju e shumë atdhetarë të tjerë si ju, kanë qenë duke punuar ditë e natë, për ta ngritur UÇK-në e përmes saj, lirinë e Kosovës. Prandaj, ne nuk harrojmë të shprehim respektin e thellë dhe mirënjohjen e përjetshme për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në arritjen e lirisë dhe ngritjen e shtetit tonë të pavarur”, tha ai.

Kuvendi Zgjedhor i PDK-së në Zvicër vijoi me zgjedhjet e strukturave udhëheqëse, ku me një proces fer e demokratik, me shumicën e votave të delegatëve, kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër u zgjodh Ragip Xhaka, një aktivist i kahershëm i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh babai i dy prej sportistëve më të mirë shqiptarë, Granit e Taulant Xhaka.

Kuvendi Zgjedhor i PDK-së në Zvicër sot ka zgjedhur edhe anëtarët e Këshillit Drejtues dhe më pas do të vijojnë edhe zgjedhjet për Kryesinë e Degës.

Nga shteti mik i Zvicrës, punimet e Kuvendit të Degës i nderoi me praninë e saj deputetja e Parlamentit të Konfederatës së Zvicrës, Marianne Binder-Keller.

Ajo tha se organizimi kaq i madh i Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër i shërben bashkimit të qytetarëve dhe organizimin e tyre në aktivitete të ndryshme shoqërore.

Deputetja Marianne Binder-Keller tha se shteti i Zvicrës do të vazhdojë ta ndihmojë shtetin e Kosovës dhe do ta thellojë bashkëpunimin në gjitha fushat./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara