Qytetarët: Kumanova, skenarë i Gruevskit dhe Vuçiqit

19:09 | 10 Maj 2015
M. A.

Qytetarët e Kosovës po përcjellin me vëmendje situatën në Maqedoni.

Vrasja e disa personave, plagosja dhe arrestimi i disa të tjerëve ka shqetësuar qytetarët në Kosovë, madje këta të fundit po ndjejnë keqardhje për shqiptarët atje.

Të revoltuar ndaj qeverisë maqedonase, qytetarët thonë se e gjithë kjo që po ndodhë është skenarë i përgatitur nga Qeveria e Gruevskit dhe ajo e Vuçiqit.

Ata mendojnë se institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë, gjithashtu edhe ato ndërkombëtare, duhet t’iu dalin në mbrojtje shqiptarëve në Maqedoni.

Sabit Salihu, banor i Prishtinës, thotë se sulmet ndaj shqiptarëve në Kumanovë, po bëhen vetëm për faktin se janë shqiptarë. Për këtë destabilizm në Maqedoni, ai fajëson Qeverinë e Serbisë.

“Jam duke i përcjellë, edhe me shqetësim. Kjo është duke u zier në kuzhinat serbe. Ky destabilizm atje që po do me u bo është gatuar në kuzhinat serbe, krejt të koordinuara janë këto… Ne shqiptarët jemi kujdestarë për me na fajësuar, aty shqiptarët nuk kanë faj asgjë, sigurisht, jam i bindur që i kanë sulmuar vetëm se janë shqiptarë. Edhe me dijen e Gruevskit e me dijen e plotë të Vuqiqit te Gruevski, veç fatbardhësisht iu ka ngordhë nëna rusi e nuk po kanë fuqi me bo tollovi më të mëdha”, thotë ai, përcjell Kosovapress.

E Rrahim Sopjani, banor i Prishtinës gjithashtu, mendon se shqiptarët nuk po e ngrehin zërin sa duhet. Këtu ai përfshinë partitë shqiptare në Maqedoni, institucionet kosovare dhe ato të Shqipërisë.

“Kemi shqetësim të madh. Na çuditë fakti se si po bëhen këto skenarë, skenarë nga pushteti maqedonas… po shihet që është një pasiguri sa i përket popullatës shqiptare. Më çuditë fakti që aty prej këtyre partive shqiptare nuk po ngritë zërin askush sa duhet. Duhet edhe pushteti ynë kosovar, edhe ai shqiptar me ngritë zërin. Më çuditë fakti, se edhe Europa duhet me i pa këto skenarë”, thotë ai.

Duke parë ndodhitë në Maqedoni, ka të tillë që thonë se çështja e shqiptarëve duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, në mënyrë që mos të ketë trazira të tilla.

“E dhimbshme është ajo që po ndodhë me shqiptarët në Maqedoni në përgjithësi. Mendoj se çështja e shqiptarëve duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, sepse konflikte të tilla ka pas edhe më herët por nuk u shkon për shtati edhe konflikte të tilla shqiptarëve. Duhet në aspektin politik të merren këto çështje pak më seriozisht në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet çështja e shqiptarëve dhe të tjerëve në Maqedoni, në të kundërtën mund të ndodhin gjëra të tilla. Mund të jenë edhe inskenime të shtetit maqedonas”, thotë Gani Kosumi.

Qytetarët e Kosovës, mendojnë se shqiptarët po dëmtohen kudo. Rrahman Rrahmani, banor i Prishtinës, thotë se kjo po ndodhë vetëm me qëllimin që të dëmtohen shqiptarët.

“Ne e ndjejmë një dhimbje shumë të madhe për ngjarjet që po ndodhin atje”, thotë Shaban Baksi.

Shpërndaje në rrjete sociale