Kurti përkujtoi dëshmorët Vesel Avdyli, Ilir Mërturi dhe Naim Gashi

16:17 | 29 Janar 2026
E.G

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bëri homazhe sot pranë varreve të dëshmorëve, Vesel Avdyli, Ilir Mërturi dhe Naim Gashi, në 27-vjetorin e rënies së tyre. Pas homazheve, kryeministri mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore kushtuar dëshmorit, Ilir Mërturi, në Parkun e Qytetit të Klinës.

“Medaljoni i kujtesës që porsa zbuluam sot për Ilir Merturin në këtë park, që po ashtu mban emrin e tij, është shenjë e respektit shtetëror për flijimin e tij dhe e angazhimit tonë për të vërtetën historike. Është kujtesë që na thërret çdo ditë, që ta mbajmë Kosovën ashtu siç e deshën ata: të lirë, të zhvilluar e të përparuar, të denjë për sakrificën e tyre. Kjo pllakë është amanet për brezat që do të vijnë, që ta kuptojnë se liria është fituar mbi dhimbje të mëdha njerëzore dhe humbje të pakompenzueshme njerëzish dhe se ruajtja e mbrojtja e saj kërkon përgjegjësi dhe përkushtim, si nga institucionet e shtetit ashtu edhe nga shoqëria mbarë”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij.

Në fund të janarit 1999, forcat e armatosura të Serbisë vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden dhe Bishtazhin të Gjakovës. 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë duke mbrojtur popullatën civile, ndërkaq nëntë civilë u ekzekutuan pa mëshirë. Lavdi dëshmorëve Mërturi, Gashi dhe Avdyli, dhe të gjithë dëshmorëve të të gjitha epokave të kombit shqiptar. Nderim të gjithë martirëve të lirisë!