Google ADS

Protesta e OEK bllokon nesër hyrjet kryesore të kryeqytetit, Komuna kërkon nga qytetarët mirëkuptim

19:39 | 28 Maj 2025
E.H

Disa hyrje kryesore të Prishtinës nesër do të jenë të bllokuara për dy orë për shkak të një proteste të paralajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Lidhur me këtë, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se automjetet e bizneseve pjesëmarrëse do të pozicionohen në rrugë duke e pamundësuar përkohësisht qarkullimin rrugor, përcjell Arbresh.info.

Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët e saj që të kenë mirëkuptim dhe të sugjerojnë planifikim alternativ të lëvizjes gjatë kohës së protestës.

Njoftimi i plotë:

NJOFTIM PËR QYTETARËT E KRYEQYTETIT

Të nderuar qytetarë,

Ju njoftojmë se nesër, më 29 maj 2025 (e enjte), disa nga hyrjet kryesore të Prishtinës do të jenë të mbyllura përkohësisht, si pasojë e një proteste të paralajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Protesta do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në ora 12:00, si shenjë kundërshtimi ndaj procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025.

Zonat që do të preken nga bllokimi janë:

• Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani, përfshirë rrugën pranë Albi Mall dhe pjesën poshtë Veternikut (akseset nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti).

• Hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica, konkretisht në rrethin e Madh te Lakrishtja (Dukagjini Tower).

• Hyrja nga Podujeva, në lagjen Vranjevc – përfshirë zonën te ish-Humanisti dhe udhëkryqin pranë bankës Raiffeisen (bllokohet qasja në drejtim të Podujevës dhe nga Dragodani drejt Shkabaj/Orlloviqit).

Automjetet e bizneseve pjesëmarrëse do të pozicionohen në rrugë, duke pamundësuar përkohësisht qarkullimin në këto segmente.

Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe sugjerojmë planifikim alternativ të lëvizjeve gjatë kohës së protestës. Institucionet e Kryeqytetit janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar sigurinë publike dhe menaxhimin sa më efikas të situatës.

Faleminderit për mirëkuptimin tuaj./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Këto janë hyrjet që do të bllokohen nesër në Prishtinë nga protesta e bizneseve

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm