Prokurori Abazi: Vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku u atribuohet të gjithë pjesëmarrësve në sulm

10:17 | 15 Prill 2026
E.G

Në fjalën e tij përmbyllëse, prokurori Naim Abazi tha se kjo fazë përmbyllëse e procedurës ka rëndësi të veçantë për rendin juridik, sigurinë publike dhe vetë shtetin e Kosovës.

Ai theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë administruar një numër i madh provash materiale dhe personale, përfshirë video-incizime, dokumente zyrtare dhe dëshmi të dëshmitarëve, të siguruara në përputhje me ligjin.

“Sipas provave, nuk kemi të bëjmë me një incident të izoluar, por me një organizim kriminal me qëllime terroriste për cenimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Abazi.

Prokurori shtoi se pasoja fatale – vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku – i atribuohet të gjithë pjesëmarrësve në sulm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Këto veprime përbëjnë akte të mirëfillta terroriste, që kanë rezultuar me vrasje dhe plagosje të zyrtarëve policorë, si dhe me përdorim të armëve dhe mjeteve të rrezikshme, duke rrezikuar rendin kushtetues”, tha ai.

Sipas tij, edhe nga deklarimet e mëhershme, përfshirë ato të Milan Radoiçiqit, rezulton se qëllimi i grupit ka qenë destabilizimi dhe cenimi i integritetit territorial të Kosovës.

Abazi theksoi se të akuzuarit nuk janë “kalimtarë të rastësishëm”, por anëtarë aktivë të grupit, të cilët janë arrestuar në vendin e ngjarjes.

Gjatë seancës, prokurori po vazhdon elaborimin e veprimeve konkrete të secilit prej të akuzuarve që janë të pranishëm në gjykim.