Google ADS

Pretendimet për skandale në EULEX, Simmons raporton para deputetëve më 12 korrik

21:13 | 29 Qershor 2021
Përparim Bublaku

Ligjvënësit kosovarë, të hënën e 12 korrikut do të kenë një seancë të rëndësishme. Në Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet video-lidhjes do të paraqitet ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons.

Pas aprovimit nga Komisioni për Legjislacion, data 12 korrik është caktuar për të dëgjuar pretendimet e Simmonsit. Ky i fundit pritet të raportojë për një mori skandalesh të EULEX-it në Kosovë, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave e ndikimet në dëshmitarë.

Se do të raportojë para deputetëve më 12 korrik, e ka konfirmuar për RTK-në vetë Simmons.

“Unë pres që ta jap dëshminë time në Parlamentin e Kosovës më 12 korrik. Kam besim se pasi të dëshmojë, Parlamenti të vendosë që të nis një hetim të plotë publik”, ka thënë Simmons.

Në anën tjetër, avokati i Simmonsit, Artan Qerkini tregon për formatin e raportimit dhe pretendimet e ish gjyqtarit britanik.

“Pas kërkesës së ardhur nga Kuvendi që Simmons të raportoj më 12 korrik, kam kontaktuar me të, dhe ai e konfirmuar që do të raportojë nëpërmjet video-lidhjes. Arsyeja pse Z.Simmons nuk ka mundur të vijë fizikisht në Kosovë, është përhapja e variantit Delta të coronavirusit, dhe në rast se vjen do t’i duhej të qëndronte 2 javë në karantinë”, u shpreh Qerkini.

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, kishte treguar se në raportimin që pritet ta bëjë në Kuvendin e Kosovës, do të tregojë se pse nuk janë hetuar krimet e kryera nga serbët në Kosovë.

Simmons ka thënë se shumë prova të krimeve të kryera nga serbët nuk janë më në dorën e autoriteteve kosovare.

“Kur të jap dëshmi para Parlamentit të Kosovës do të shpjegoj pse këto raste nuk janë hetuar. Dëshmitë në lidhje me shumë krime të luftës të kryera nga persona me etni serbe nuk janë më të disponueshme për autoritetet e Kosovës”, ka thënë Simmons, kohë më parë përmes një postimi në Twitter, transmeton Telegrafi.

Simmons kishte dërguar në drejtim të kryeministrit Albin Kurti një pjesë të dëshmisë së tij për skandalet e kryera nga misioni i BE-së për sundim të ligjit (EULEX). Mbi këtë bazë, Simmons ka kërkuar të raportojë në Kuvendin e Kosovës për të gjitha këto pretendime.

Në dëshminë e Simmons drejtuar kryeministrit, përveç ndikimeve politike, bashkëpunimit të EULEX-it me prokurorinë në Beograd, Simmons jep detaje dhe shpreh dilema për punën e Gjykatës Speciale. Deri më tani, nga qeveria nuk janë përgjigjur në këtë letër të Malcom Simmons. Ishte prokurori i parë i specializuar i Gjykatës Speciale në Hagë.

Por, në këtë pozitë, David Schwendiman nuk qëndroi më shumë se dy vjet. Asokohe kishte thënë se po jepte dorëheqje për shkak të zbatimit të ligjeve amerikane, që sipas tij nuk ia lejonin mbajtjen e kësaj pozite më gjatë. Por, është ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, që po pretendon se pas largimit të Schwendiman fshihet edhe diçka tjetër.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme