Policia e Kosovës mohon akuzat e Kishës Ortodokse Serbe: Nuk ushtrojmë presion ndaj komunitetit serb

19:40 | 17 Korrik 2026
E.G

Policia e Kosovës ka hedhur poshtë si të pabazuara pretendimet e publikuara në komunikatën e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave Policia e Kosovës zhvillon një politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Sipas PK-së, pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së Policisë së Kosovës dhe krijojnë një perceptim të rremë mbi mandatin, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit.

“Policia e Kosovës është institucion kushtetues dhe profesional, i themeluar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në përbërjen e saj shërbejnë zyrtarë policorë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës, përfshirë komunitetin serb, të cilët ushtrojnë detyrën mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Policinë, Kodit të Etikës Policore dhe standardeve evropiane të zbatimit të ligjit.”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Vetë përbërja shumetnike e Policisë së Kosovës, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe institucionale, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, përjashtojnë çdo pretendim se Policia e Kosovës vepron mbi baza etnike, fetare apo politike.”, thuhet tutje./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale