Policia: Disa të lënduar nga armët e zjarrit dhe mjetet piroteknike në natën e Vitit të Ri

10:41 | 1 Janar 2026
E.H

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kanë pasur shtim të masave të sigurisë dhe rritjen e prezencës policore në lokacione dhe ambiente ku pritej përqendrim më i madh i qytetarëve dhe aktivitete festive për natën e Vitit të Ri.

Sipas Policisë, përveç ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, vëmendje e veçantë i është kushtuar mbikëqyrjes dhe kontrollit të trafikut rrugor, menaxhimit të pikave të kalimit kufitar, përfshirë aeroportin ndërkombëtar, si dhe brezit kufitar në përgjithësi.

Siç bëhet e ditur, në disa rajone janë raportuar incidente me lëndime trupore si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe gjithashtu edhe raste të lëndimeve të lehta nga arma e zjarrit.

“Bazuar në raportimet e pranuara nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e vitit të ri, ndërrimi i mot-moteve, ka kaluar me disa raportime për incidente që lidhen me pjesën e festimeve. Nga disa rajone të vendit janë raportuar incidente me lëndime trupore si pasojë e përdorimit të pa kujdesshëm të mjeteve piro-teknike, raste të lëndimeve të lehta nga armë zjarri dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike (zjarre). Policia i ka iniciuar dhe do të vazhdojë t’i trajtojë të gjitha ato raste qofshin vepra penale apo incidente tjera dhe rastet në koordinim me prokurorit kompetente do të përcillen te organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha rastet e raportuara janë iniciuar për trajtim dhe, në koordinim me prokuroritë kompetente, do të procedohen më tej pranë organeve të drejtësisë.

Shpërndaje në rrjete sociale