Policia bastis lokalet e natës në Prizren – Arrestohen pesë persona, sekuestrohen armë e mjete të ftohta

11:06 | 15 Qershor 2025
E.H

Policia e Kosovës në Prizren në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit kanë zhvilluar mbrëmë (14.06.2025) një aksion të suksesshëm ku kanë kryer kontrolle në disa lokale të natës.

Nga ky aksion, pesë persona janë arrestuar ndërsa janë sekuestruar armë zjarri dhe mjete të ftohta.

Lajmin për Arbresh.info e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit.

“Mbrëmjen e datës 14.06.2025, Stacioni Policor në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka ndërmarrë një operacion të planifikuar me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike. Gjatë këtij operacioni janë kontrolluar disa lokale të natës (bar-lounge), ku si rezultat i kontrollit policor, katër personave të dyshuar u janë gjetur mjete të mprehta (thika) në brez, ndërsa një personi tjetër i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri”, tha Bytyqi.

“Pesë të dyshuarit janë arrestuar, intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë. Armët dhe mjetet e sekuestruara do të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale që është iniciuar ndaj të dyshuarve për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe në parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme”, tha Bytyqi./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale