Pesë ditët e partive për fushatë të rrezikshme në pandemi, mbledhitë nëpër oda e kafiteri nuk ndalen

08:05 | 24 Shtator 2021 | Pranverë Beqa

Ka nisur zyrtarisht periudha e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, dhe disa parti politike pavarësisht deklarimeve për fushatë pesë ditore, nuk i ndalin mbledhitë nëpër kafiteri e oda.

Kjo shumë thjeshtë mund të vërtetohet nëpër rrjete sociale, publikime të kandidatëve për kryetarë dhe atyre për asamble komunale.

Njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë se kjo është vetëm një lojë e partive politike dhe se deklarimi i pesë ditëve mund të jetë më i rrezikshëm për përhapje të virusit sesa të bëhej në afatin zyrtarë.

Politologu Nexhmedin Spahiu vlerëson se fushata ka filluar që nga momenti kur janë shpallë zgjedhjet.

“Fushata veç ka filluar para se me fillu zyrtarisht fushata. Ajo ka filluar që nga  momenti që janë shpallë zgjedhjet”, deklaron Spahiu për arbresh.info, duke shprehur edhe qëndrimin se shtyrja e zgjedhje po ashtu nuk do të ishte një zgjidhje e duhur.

Edhe për njohësen e rrethanave politike në vend, Afërdita Maliqi, fushata ka filluar edhe më herë pavarësisht deklarimeve të partive opozitare për reduktim të saj.

“Nga ana tjetër, disa parti politike opozitare, kanë dalë se tashmë fushatën konvencionale e kanë reduktuar në pesë ditë. Megjithatë, siç jemi dëshmitar fushata ka nis me herët.  Meqenëse, nuk kemi një vendim të prerë për shkurtim të fushatës nga institucionet kompetente, atëherë edhe partitë do të mund të zhvillonin fushatën bazuar në rekomandimet e IKShPK. Po, e përsëris fushata ka filluar javë me parë edhe po vazhdon, pavarësisht deklarimeve”, përfundon Maliqi për arbresh.info.

Fushata për Zgjedhjet Lokale 2021 përfundon më 15 tetor, dhe qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit, të dielën e 17 tetorit për të zgjedhur qeveritë lokale./Pranvera Beqa /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara