20:16 |
9 Tetor 2025
E.G
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe humanistin Halil Kastrati nga Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, bënë përurimin e Kuzhinës Popullore në Komunën e Kamenicës, e cila do të shërbejë me ushqim të gjithë nxënësit e komunës së Kamenicës dhe familjet dhe rastet sociale, të cilët kanë nevojë për mbështetje.
“Kamenica ka vendosur një standard të ri, siç e dimë të gjithë ne, të arsimit parashkollor. Përveç dy çerdheve të reja, Kadri Rahimaj, ka mundësuar që fëmijët e çerdheve të ushqehen shëndetshëm, diçka që asnjë komunë asnjëherë nuk e ka bërë më parë. E tash Kuzhina Popullore është një projekt i veçantë, i ndërtuar në bashkëpunim me Komunën e Kamenicës dhe Shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, me një qëllim dhe kauzë thellësisht humane për çfarë u jemi përjetë falënderues e mirënjohës. Në këtë kuzhinë do të përgatitet ushqimi i shëndetshëm e cilësor, i rekomanduar sipas shkencëtarëve të ushqimit apo nutricionistëve dhe i përshtatshëm për secilën moshë të nxënësve”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se projekte të këtilla tregojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Komunës së Kamenicës për arsimin dhe mirëqenien e nxënësve, që kanë qenë gjithmonë në qendër të punës së kryetarit, teksa falënderoi Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për kontributin dhe bashkëpunimin e mirë me komunën e Kamenicës.
“Urime për kuzhinën e re dhe uroj që shumë projekte të këtilla, nga të cilat përfitojnë qytetarët e Kamenicës të vijmë edhe në gurthemele, edhe në inaugurime, por, edhe atëherë kur do të shohim se si i gëzojnë të mirat ata që kanë më së shumti nevojë, e natyrisht e mbi të gjitha e para së gjithash fëmijët e nxënësit”, deklaroi kryeministri në fund të fjalës së tij.
Humanisti Halil Kastrati, tha se me kryetarin Rahimaj ka pasur bashkëpunim edhe për shumë shtëpi që janë ndërtuar në komunën e Kamenicës, dhe se ideja për ndërtimin e kësaj kuzhine është miratuar menjëherë nga Shoqatat Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”. Ai tha se kuzhina si kjo është model që duhet ta marrin të gjitha komunat e Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, theksoi se kjo kuzhinë do të jetë në shërbim të secilit nxënës e stafit të shkollës, përveçse rasteve sociale dhe se është shumë i lumtur që ky bashkëpunim ka gjetur përkrahjen e madhe nga z. Kastrati dhe Shoqata “Jetimët e Ballkanit”.
Projekti i Kuzhinës Popullore është realizuar në bashkëpunim mes Komunës së Kamenicës dhe Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.