Në kulmin e vapës dhe thatësisë verore, Kosova është përballur këtë vit si kurrë më parë edhe me një shpërthim të zjarreve, të cilat kanë shkaktuar përveç dëmeve të mëdha natyrore edhe dëme njerëzore, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe pronën edhe të shumë qytetarëve të tjerë.
Ekspertët dhe autoritetet theksojnë se faktori njeri mbetet shkaktari kryesor në shumicën e rasteve të shpërthimit të zjarrit.
Përveç pakujdesisë së zakonshme në ambientet rurale, në shumicën e rasteve dyshohet se zjarret janë ndezur qëllimisht për përfitime materiale, apo për motive të tjera personale, siç kanë theksuar edhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe emergjencave.
Vetëm gjatë javës së fundit në Kosovë kanë shpërthyer mbi 320 zjarre, duke përfshirë edhe incidente të vogla në zona të ndryshme.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Genc Metaj, tha se kjo situatë është jashtë normales dhe se kapacitetet emergjente janë vënë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo rreziku potencial.
“Fatkeqësisht, kemi humbur dy jetë, një zjarrfikës dhe një qytetar nga komuna e Klinës,” tha Metaj.
Ai shtoi se faktori njeri është shkaktari kryesor në shumicën e rasteve, duke theksuar se shumë zjarre janë ndezur për pastrimin e tokave bujqësore ose si pasojë e pakujdesisë me mbeturina.
Ndërsa, sipas ekspertit të emergjencave, Tahir Ahmeti, i cili ka folur për Arbresh.info, tha se shkaqet kryesore të zjarreve që kanë përfshirë Kosovën këtë verë janë rezultat i veprimeve të pakujdesshme nga ana e njerëzve.
“Gjatë kësaj vere, zjarret në Kosovë kanë qenë kryesisht rezultat i temperaturave të larta dhe periudhave të gjata të thatësisë, që krijojnë kushte të përshtatshme për përhapjen e flakëve. Përveç faktorëve natyrorë, një pjesë e madhe e zjarreve janë shkaktuar nga pakujdesia njerëzore, si ndezja e zjarrit për pastrimin e tokave bujqësore, hedhja e cigareve të ndezura apo përdorimi i mjeteve të ndezshme në ambiente të hapura. Janë raportuar gjithashtu raste të defekteve teknike”, u shpreh Ahmeti.
Ai vëren se një pjesë e konsiderueshme e këtyre zjarreve dyshohet të jenë shkaktuar qëllimisht.
“Sipas vlerësimeve të institucioneve përkatëse si Agjencia për Menaxhimin Emergjent, një pjesë e madhe e zjarreve janë shkaktuar qëllimisht ose si rezultat i pakujdesisë së rëndë, që në aspektin ligjor mund të konsiderohet zjarrvënie e qëllimshme. Megjithatë, hetimi i këtyre rasteve është sfidues për shkak të mungesës së dëshmive të drejtpërdrejta dhe burimeve të mjaftueshme hetimore, çka e bën ndjekjen penale të zjarrvënësve të vështirë në praktikë”, u shpreh Ahmeti.
Ahmeti thotë se shumë zjarrvënie lidhen edhe me përpjekje për përfitime materiale.
“Arsyet që qëndrojnë pas zjarr-vënieve të qëllimshme në Kosovë janë të ndryshme, por ndër më të zakonshmet është pastrimi i tokës bujqësore apo përgatitja e saj për mbjellje, ku fermerët përdorin zjarrin si metodë të lirë dhe të shpejtë për eliminimin e mbetjeve organike. Në disa raste, zjarret janë rezultat i konflikteve për pronësi apo akteve vandaliste. Ekzistojnë edhe raste kur individë përfitojnë materialisht nga situata të tilla. Në zonat malore, ndonjëherë zjarrvënia bëhet për të përmirësuar kullotat për bagëti, ndonëse kjo metodë është e ndaluar dhe mbart rreziqe të larta për përhapje të pakontrolluar të flakëve,” pohon ai.
Po ashtu, sipas ekspertit të mbrojtjes nga zjarret, Qazim Kukalaj, në një prononcim për Arbresh.info, tha se 95% e zjarreve të kësaj vere në Kosovë janë shkaktuar nga faktori njeri, ku mbi 75% vijnë nga pakujdesia dhe neglizhenca ndaj rrezikut.
“Ndër shkaktarët më të zakonshëm janë djegia e hamulloreve pas korrjes së grurit, hedhja e bishtave të cigareve nga automjetet apo vizitorët në natyrë, si dhe zjarret e pashuara pas përgatitjes së ushqimit jashtë, janë burime të zakonshme të zjarreve.”, tha Kukalaj.
Kukalaj vlerëson se në disa raste zjarret mund të jenë ndezur me qëllim për të përfituar përmes procedurave tenderuese.
“Asgjësimi i gjurmëve të dëmeve në pyje dhe kultura bujqësore, dëmtimi i shenjave të kufijve të parcelave, djegia e shkurreve dhe kaçubave drunore për zgjerimin e kullosave, djegia e drurëve pyjor cilësor me qëllim që të njëjtit të prehen nëse të njëjtit nuk janë dëmtuar në shkallë të lartë dhe blerja nëpërmjet procedurave tenderuese (prokurimit) etj”, pohoi Kukalaj.
Kukalaj në fund thekson se për të parandaluar zjarret nevojitet ndërgjegjësim i qytetarëve dhe forcim i kapaciteteve institucionale, përmes masave si fushata informuese, trajnime, ndërtim rezervuarësh uji dhe pika vrojtimi me teknologji moderne.
Ndryshe, në vitin 2024, Kosova regjistroi 94 zjarre, duke djegur 12,079 hektarë pyje dhe shkurre, sipas Sistemit Evropian të Informacionit mbi Zjarret në Pyje, viti 2025 ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të zjarreve, duke e bërë këtë vit më të rëndësishëm në historinë e Kosovës për sa i përket shpërthimit të zjarreve./Arbresh.info/Qëndresa Luma/
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...
Më pak se 1% import të energjisë nga Serbia