PDK do ankohet në PZAP për Mitrovicën, Krasniqi: Vota është e shenjtë dhe do ta mbrojmë

11:19 | 11 Nëntor 2025
E.G

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se sot PDK-ja do të paraqesë ankesën zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me dyshimet për shkelje në procesin zgjedhor në Mitrovicë.

Në një postim në Facebook, Krasniqi shkroi se menjëherë pas njoftimeve nga komisionerët e partisë në këtë komunë, PDK ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për, siç ka thënë ai, të mbrojtur vullnetin e qytetarëve.

“Prej mbrëmë, menjëherë pas njoftimit nga komisionerët tanë në Mitrovicë për shqetësimet rreth integritetit të procesit zgjedhor atje, kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve. Shqetësimet e paraqitura janë serioze dhe, si të tilla, po i adresojmë në të gjitha instancat dhe adresat përkatëse.

Sot, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë, brenda afatit ligjor, edhe ankesën e saj zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në ora 12:00, në selinë e partisë do të kemi një konferencë për media për të bërë të ditura detajet dhe veprimet tona lidhur me këtë çështje.

Ne besojmë se çdo votë është zëri i qytetarit dhe themeli i demokracisë sonë. Prandaj, kur ekzistojnë dyshime apo paqartësi në proces, është e drejtë dhe detyrë ligjore që ato të shqyrtohen me kujdes dhe plotësisht nga institucionet përkatëse.

Pa paragjykuar rezultatin përfundimtar, PDK kërkon që çdo procedurë të trajtohet me transparencë, drejtësi dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor të mbetet i plotë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka theksuar po ashtu se PDK është e vendosur të mbrojë integritetin e zgjedhjeve “me përgjegjësi, qetësi dhe bindjen se e vërteta do të dalë në dritë”./Arbresh.info