Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kohë më parë kishte deklaruar se Ushtria e Kosovës do të bëhet në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, përmes ndryshimeve ligjore.
Por, pas reagimeve të shumta që erdhën nga SHBA-të dhe nga NATO, se Ushtria duhet të formohet përmes ndryshimeve kushtetuese, ai ka kërkuar kohë shtesë për iniciativën e tij, derisa të binden për këto ndryshime edhe pjesëtarët e Listës Serbe.
Thaçi muaj më parë kishte deklaruar se formimi i Ushtrisë nuk ka kthim mbrapa dhe se nëse ndodh që Kuvendi nuk e voton këtë, ai do të japë dorëheqje.
Por, pavarësisht nga “premtimi” për formimin e Ushtrisë përmes Ligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Thaçi nuk do të japë dorëheqje nga posti i të parit të shtetit.
Ehat Miftaraj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se fjala publike e Thaçit se do të dorëhiqet nëse Projektligji i dërguar në Kuvend nuk do të votohet nga deputetet e Kosovës, më shumë duhet parë si presion publik karshi Kuvendit të Kosovës dhe bartje e përgjegjësisë tek deputetët e Kuvendit se të njëjtit “po bllokojnë procese të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës”.
“Është botërisht e ditur se për të kaluar procese të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës, përfshirë themelimin e Ushtrisë, përveçqë nevojitet konsensus i gjerë politik – përfshirë votat e komunitetit joshumicë në Kosovë – nevojitet edhe përkrahja e mbështetja e faktorit ndërkombëtar. Në rastin konkret, ka qenë shumë parimore që themelimi i Ushtrisë së Kosovës të kalojë përmes ndryshimeve kushtetuese e jo përmes ligjit”, ka thënë Miftaraj.
Ai ka theksuar se tërheqja e Projektligjit për themelimin e Ushtrisë së Kosovës është humbje personale politike e Thaçit në raport me rolin e tij dhe të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë – veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I pyetur rreth mundësisë së shkarkimit të Thaçit nga ana e deputetëve me anë të mocionit, Miftaraj theksoi se çdo iniciative për shkarkimin e tij, në këtë fazë nuk do të kishte sukses.
“Kushtetuta e Kosovës përcakton në mënyrë të qartë se presidenti i Republikës mund të shkarkohet vetëm në rast të shkeljes së Kushtetutës apo kryerjes së ndonjë vepre të rëndë penale”, tha Miftaraj.
Edhe profesori i së Drejtës, Riza Smaka, ka thënë për Telegrafin se nuk beson që Thaçi do të dorëhiqet.
“Atij as nuk do t’i kërkohet dorëheqja, ngase procesi që e pat nisur do të vazhdojë me disa ndalesa të përkohshme”, ka thënë Smaka, duke shtuar se “edhe me dispozitën e nenit 91 të Kushtetutës, nuk është përcaktuar dorëheqja si një nga bazat për shkarkimin e presidentit”.
Ekstradohen nga Italia dhe Gjermania në Kosovë, një grua dhe...
Franca thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në Izrael, K...
Rizvanolli kërkon rritje të masave të sigurisë, pas vdekjes ...
“Na ke bërë krenarë”, Hygerta surprizohet nga nëna për final...
Begaj: Nuk është e drejtë që Kosova ka mbetur larg proceseve...
Porti i ri tregtar në Porto Romano, SPAK sekuestron dosjen e...