Pasojat e formimit të ushtrisë pa përkrahjen e NATO-s

09:01 | 6 Dhjetor 2018 | Mira Avdimetaj

Viktimizimi i Serbisë në sytë e fuqive të mëdha botërore ka filluar edhe për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Përpos përpjekjes të Serbisë që përmes Listës Serbe të ndalojnë formimin e ushtrisë, ata kanë filluar edhe lobimin e tyre në shtetet tjera që të ndalojnë transformimin e FKS-së në ushtri. Por, sipas njohësve të rrethanave politike dhe të sigurisë në vend, Kosova duhet të ketë kujdes me formimin e ushtrisë, nëse nuk e merr bekimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Aleancës Veriatlantike, shkruan arbresh.info.

Ditë më parë, presidenti serb Aleksander Vuçiq, është takuar me ambasadoret e Rusisë, Kinës dhe SHBA-ve në Beograd, me ç’rast ka kërkuar mbështetje për të kundërshtuar formimin e ushtrisë së Kosovës duke paralajmëruar se një gjë e tillë mund të çojë në përleshje të reja në Ballkan.

Kuvendi i Kosovës pritet t’i votojë projektligjet për transformimin e ushtrisë me 14 dhjetor të këtij viti.

Njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova, në një prononcim për portalin arbresh.info ka thënë se Serbia po synon të ndërkombëtarizojë çështjen e veriut dhe ushtrisë duke paraqitur si proces agresioni ekskluzivisht kundër serbëve të Kosovës.

“Serbia si shtet me aparat propagandistik shumë të madh do të mundohet në çdo formë dhe mënyrë ta krijoje bindjen e një gjendjeje apokaliptike në Kosovë. Ata do mundohen që transformimin e FSK në ushtri ta paraqesin si proces agresioni ekskluzivisht kundër serbëve të Kosovës”, është shprehur Sallova.

Sipas Salloves, Serbia nuk guxon të ndërhyjë në çështjet ushtarake të Kosovës, por po përdorin grupet paramilitare kriminale në veri që të inskenojnë ndonjë rebelim dhe të nxisin përplasje.

“Serbia nuk do të guxoje të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë sepse për këtë dihet kush e pengon, por Serbia do te mbështesë grupe paramilitare kriminale në veri të Kosovës të cilat në fazën përfundimtare do te inskenojnë një farë rebelimi me synimin nxitjen e përplasjes se armatosur ndërmjet forcave kosovare të sigurisë dhe grupeve te armatosura serbe. Kështu, Serbia do te synonte ta ndërkombëtarizonte çështjen e veriut dhe ndoshta përfshirjen e këshillit te sigurimit në këtë punë. Kosova duhet te tregohet e kujdesshme dhe ne koordinim me NATO-n për çdo veprim kundrejt veriut dhe çështjes se ushtrisë”, ka deklaruar ai.

Transformimi i FSK-së në ushtri nuk pritet të shkojë pa probleme thotë analisti politik, Imer Mushkolaj.  Sipas tij çfarëdo hapi që Kosova ndërmerr për krijimin e ushtrisë pa pajtimin e SHBA-së dhe NATO-s nuk mund të jetë pa pasoja.

“Çështja e transformimit të FSK-së në ushtri nuk do të shkojë pa probleme, sidomos pas tërheqjes së vërejtjes nga NATO. Natyrisht, Serbia do ta shfrytëzojë këtë situate, që të përfitojë dhe të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës. Në anën tjetër, çfarëdo hapi që Kosova ndërmerr për krijimin e ushtrisë pa pajtimin e SHBA dhe NATO-s mund të  jetë me pasoja” deklaroi Mushkolaj për arbresh.info.

Tensionet në mes të Serbisë dhe Kosovës janë ngritur veçanërisht pasi qeveria kosovare vendosi takes 100 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia. Ky vendim, sipas qeveritarëve, do të qëndrojë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. /Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara