Pacolli reagon për vdekjen e Nexhat Dacit

12:39 | 1 Janar 2026
E.K

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Nexhat Daci, ish-kryetar i Parlamentit të Kosovës, duke e cilësuar atë si një figurë me vizion shtetëror dhe dinjitet të lartë.

Pacolli ka kujtuar takimin e tij të parë me Dacin, të cilin e përshkroi si jo të zakonshëm, duke theksuar se fjalët, porositë dhe qetësia me të cilën ai i shprehte qëndrimet e tij, i janë ngulitur përgjithmonë në kujtesë dhe janë shndërruar në një obligim moral.

Postimi i plotë:

Paska vdekur akademiku Nexhat Daci ish kryetar Parlamentit te Kosovës

…Kur u njoha me të për herë të parë.

Takimi me të nuk ishte i zakonshëm. Fjalët e tij, porosia dhe qetësia me të cilën i shprehu, u ngulitën përgjithmonë në kujtesën time dhe u shndërruan në një obligim moral për mua.

“Zotni Pacolli, do të doja shumë që kjo ndërtesë të marrë një frymë të re — hapësira moderne, dinjitoze, që të përfaqësojnë të ardhmen e Kosovës. Nuk do të kisha dashur që kjo godinë të na rikujtojë vuajtjet dhe plagët e së kaluarës sonë. Nëse mundeni, ju lutem, ndihmoni.”

Kjo kërkesë, e thënë me dinjitet dhe vizion shtetëror, më preku thellë. Ishte arsyeja pse kontribuova me mbi 1.800.000 euro për rekonstruktimin e plotë të ndërtesës së Parlamentit: instalimet, fasadën, dekorimet e brendshme të hollit dhe sallave, të sallẽs kryesore, mobilimin e tyre, si dhe rregullimin e hyrje, hollit, zyrave të drejtuesve si the zyren e kryetarit ku sot punojne kryetaret e Parlamentit dhe me krenari takohen me delegacione te ndryshme!

Që nga ajo ditë, asgjë nuk është prekur. Sepse ajo punë u bë me respekt, me përkushtim dhe me dashuri për Kosovën.

Për të kam pasur gjithmonë një respekt të veçantë. Sot e kujtoj me mirënjohje dhe nderim të thellë. U prehtë në paqe. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe miqve të tij./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale