“Pacolli, Osmani, Konjufca…” – Nazarko paralajmëron rrezik për bllokadë, teksa afati kushtetues po mbyllet

10:45 | 4 Mars 2026
E.G

Afatet kushtetuese, aritmetika parlamentare dhe përplasjet politike e kanë vendosur zgjedhjen e Presidentit të Kosovës në qendër të një testi të ri për stabilitetin institucional të vendit.

Emra si Murat Jashari, Bekim Jashari, Glauk Konjufca e Vjosa Osmani janë disktuar në opinionin publik si kandidatë për president.

Analisti politik Mentor Nazarko në një prononcim për Arbresh.info vlerëson se President i Kosovës duhet të jetë një figurë me spektër të gjerë aftësish, sidomos në planin ndërkombëtar, duke theksuar se kreu i shtetit në Kosovë ka kompetenca më të zgjeruara krahasuar me shumë republika parlamentare në rajon dhe Evropë.

Sipas Nazarkos, figura që duhet të zgjidhet në krye të shtetit duhet të ketë kapacitet për të vepruar në të dy rrafshet atë të brendshmin dhe të jashtmin.

Ai përmend si alternativa të mundshme edhe Behgjet Pacolli, Veton Surroi dhe Glauk Konjufca.

“Kështu që unë mendoj që zonja Osmani është e para edhe për shkak të dëshmive të suksesit të saj ndërkombëtar, që do të ishte në këtë listë. Natyrisht, nëse do të kishte figurë tjetër, e cila ka një netuork të fuqishëm ndërkombëtar, të ishte me Perëndimin, mund të ishte Behgjet Pacolli; mund të ishte Veton Surroi natyrisht; edhe zoti Konjufca, por ai nuk pati mundësi si ministër të Jashtëm të tregonte aftësitë e veta, por mund të ishte një figurë, e cila me urtësinë e vet mund të kontribuonte në këtë në këtë fuqizim ndërkombëtar të Kosovës.”, tha ai.

Sa i përket kapitalit politik të Osmanit për një mandat të dytë, Nazarko tha se nëse i referoheshim mbështetjes ndërkombëtare dhe mbështetjes popullore, ajo e ka maksimumin e kapitalit politk.

Ai shton se mbështetja ndërkombëtare është e qartë dhe cilësore, ndërsa pikëpyetja mbetet te partitë politike.

“Në qoftë se duhet t’i referohemi mbështetjes së partive politike, atëherë këtu ka një pikëpyetje të madhe, pikërisht kjo gjë do të testohet këto dy ditë.”, thekson Nazarko.

Nazarko vlerëson se gjatë mandatit të saj, Osmani ka treguar autonomi në disa raste.

“Kjo është një tregues që ajo ka ruajtur, natyrisht jo në mënyrë lineare, jo në mënyrë të vazhdueshme, ka ruajtur distancën nga qeveria dhe nga kreu i pakontestueshëm i qeverisë dhe i partisë Vetëvendosje, zoti Kurti.”, u shpreh ai.

Lidhur me mundësinë e arritjes së konsensusit, ai thotë se në aspektin numerik është e realizueshme.

Megjithatë, ai paralajmëron për rrezikun e bllokadave procedurale, duke përmendur edhe vendimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vitit 2011, që sipas tij e ka ngurtësuar procesin.

“Situata është e vështirë po të marrim parasysh kuadrin kushtetues që ka Kosova për zgjedhjen e presidentit, duke marrë parasysh edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e tij në 2011, e cila e vështirëson shumë proceduralisht, e ngurtëson duke prodhuar krizë.”, tha mes të tjerash Nazarko.

Nëse dështon zgjedhja e presidentit në Kuvend, Nazarko është i prerë se do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Ai paralajmëron edhe për manovra me ushtrues detyre, praktikë që e cilëson problematike.

Në fund, ai shpreh shpresën që vendi të shmangë skenarin e zgjedhjeve.

“Unë mendoj që janë shancet për mos shkuar në këtë situatë sepse kjo do ta vendoste Kosovën në një dritë negative përballë bashkësisë ndërkombëtarë që ka themeluar shtetsisë e Kosovës”, thekson Nazarko.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Sipas Kushtetutës, po dështoi zgjedhja në këto tre runde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme