Pacolli: Mbi 50 inxhinierë të huaj po mbahen të izoluar në kampin e MABCO-s në Aeroportin e Vlorës

13:32 | 22 Maj 2026
Q L

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Aeroportin e Vlorës, duke pretenduar se punëtorët, inxhinierët dhe nënkontraktorët që kanë punuar në ndërtimin e këtij projekti po përballen me pengesa serioze për të ushtruar aktivitetin e tyre.

Përmes një reagimi publik, Pacolli tha se edhe gjatë ditës së sotme ka vazhduar bllokimi i hyrjes në aeroport, ku sipas tij, punëtorët shqiptarë, inxhinierët dhe nënkontraktorët nuk po lejohen të hyjnë në vendin e punës, ndërsa hyrja po ruhet nga roje private në prani të Policisë së Shtetit, shkruan Arbresh.info.

Ai ngriti shqetësime edhe për gjendjen e inxhinierëve të huaj brenda territorit të aeroportit, duke deklaruar se mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen ende të izoluar në kampin e MABCO-s.

Sipas Pacollit, ata nuk po lejohen të lëvizin lirshëm dhe po përballen me një situatë të vështirë, ndërsa shtoi se gjatë ditës së sotme kanë kërkuar furnizim me ushqime dhe medikamente.

Pacolli e cilësoi situatën si shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të punës, duke theksuar se asnjë konflikt kontraktual nuk mund të justifikojë izolimin e stafit teknik në një projekt strategjik.

Në fund, ai u bëri thirrje institucioneve shqiptare që të ndërhyjnë për zgjidhjen e situatës, duke paralajmëruar se kjo, sipas tij, mund të dëmtojë imazhin e Shqipërisë para partnerëve dhe investitorëve ndërkombëtarë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale