Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret që Ukraina ta marrë një vendim “të guximshëm” për themelimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën, gjatë një fjalimi në rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës në Prishtinë të premten vonë.
Duke folur në këtë ngjarje, të organizuar më 25 gusht nga ambasadat e huaja në Prishtinë për shënimin e përvjetorit të 32-të të pavarësisë së Ukrainës, Osmani tha se mbështetja e Kosovës për Ukrainën “është parimore dhe orientohet nga vlerat e rrënjosura thellë në themelet e shtetit tonë sovran”.
Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.
“Presim që Ukraina do ta kthejë mbështetjen kah Kosova si shtet i pavarur dhe sovran dhe një aleate e natyrshme në këtë rajon. Lufta i ka përafruar popujt tanë dhe tashmë është koha për vendime të guximshme për themelimin e marrëdhënieve tona dypalëshe”, tha Osmani.
Ukraina e shënoi dje 32-vjetorin e Pavarësisë, midis luftës agresore të pushtuesit rus, të cilën Moska e nisi në shkurt 2022. Si pasojë e luftës në Ukrainë kanë vdekur mijëra persona, janë zhvendosur miliona të tjerë dhe dëmet materiale sa shkojnë e rriten.
Kosova i ka strehuar dhjetëra gazetarë ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.
Osmani tha, po ashtu, se “Kosova, fatkeqësisht, është shfrytëzuar shpesh nga narrativi i lidershipin rus për ta arsyetuar sulmin e tyre për luftën në Ukrainë.”
Në fund të korrikut, Qeveria e Kosovës e miratoi pakon e 11-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë lidhur me luftën në Ukrainë, të propozuar nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë (MPJD).
Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, tha më 8 gusht se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.
Megjithatë, Tolkach theksoi se qëndrimi i Ukrainës për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshueshëm, për shkak se çështja e “krijimit dhe zbatimit të politikës së jashtme në përputhje me legjislacionin ukrainas i takon presidentit të Ukrainës”.
Tolkach i bëri këto komente pas një interviste të kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit ukrainas, Oleksandr Merezhko, i cili kishte thënë më 7 gusht se “njohja e Kosovës nga Ukraina po diskutohet në Kiev.”
Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.
Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës./REL/
Prokuroria malazeze jep detaje rreth vrasjes së trefishtë ...
Kosova shpall organizatë terroriste Gardën Revolucionare të ...
Haxhiu ndan detaje nga takimi me Whitaker
Fjalët që Leonardi do t’ia thoshte Liridonës: “Motër, amanet...
OKB në Kosovë mirëpret aktgjykimin në rastin e Liridonës
Pakistani thirrje SHBA dhe Iranit të shqyrtojnë zgjatjen e a...