Osmani në Mitrovicë: Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve

11:59 | 15 Dhjetor 2025
E.H

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Mitrovica dhe veriu i vendit janë toka shqiptare, duke theksuar se trashëgimia kulturore ilire në pjesët veriore është dëshmi e kësaj. Ajo i bëri këto deklarata të martën në Mitrovicë, gjatë një konference për media pas takimit me kryetarin e komunës, Faton Peci.

Osmani tha se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke theksuar rëndësinë politike dhe strategjike të Mitrovicës për shtetin.

“Jam e bindur se edhe nga aspekti politik, duke e ditur rëndësinë e kësaj pjese për shtetin tonë, do të bashkëpunojmë sa më shumë që të jetë e mundur, që ta ruajmë sovranitetin e integritetin e Kosovës. Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve dhe vetë trashëgimia kulturore ilire, që shihet kudo në pjesët veriore, sado të largëta brenda territorit tonë, është dëshmia më e madhe e kësaj”, tha Osmani.

Presidentja ka thënë se gjatë takimit kanë folur për nevojat, shqetësimet dhe perspektivën zhvillimore të qytetit, si dhe për rëndësinë e mbështetjes institucionale nga niveli qendror.

Ajo shprehu besimin se udhëheqja e re komunale do të sjellë më shumë zhvillim për qytetin.

“Jam besimplotë se do ia dilni ju dhe ekipi i juaj i jashtëzakonshëm që për qytetarët e Mitrovicës të sillni më shumë perspektivë, më shumë projekte, e më shumë shpresë”, tha Osmani.

Ajo theksoi se e njeh mirë realitetin e Mitrovicës, duke qenë se është rritur në këtë qytet dhe ka një njohje të gjatë me kryetarin Peci.

“Ne me Fatonin njihemi që një kohë të gjatë, kemi shkuar në shkollë bashkë, jemi rritur në Mitrovicë dhe i njohim problemet me të cilat ballafaqohet ky qytet. Kam besimin e plotë se ato gradualisht do të rregullohen edhe me angazhimin e kryetarit dhe ekipit të tij por edhe me përkrahjen tonë nga niveli qendror, sepse qytetarët e Mitrovicës meritojnë çdo të mirë dhe t’u hapet rruga e zhvillimit”, shtoi ajo.

Presidentja Osmani vlerësoi potencialin e jashtëzakonshëm të Mitrovicës, duke përmendur bukuritë natyrore, traditën, historinë dhe potencialin njerëzor në çdo fushë.

“Ky qytet ka potencial të jashtëzakonshëm, jo vetëm për shkak të bukurive natyrore që ia ka falë Zoti, por edhe për shkak të traditës që e ka dhe për shkak të potencialit që e kanë njerëzit e Mitrovicës në çdo fushë dhe për shkak të historisë që e ka. Tani gjeneratat e reja presin që të zhvillohen dhe të hapen vende të reja të punës”, tha Osmani./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme