Osmani: 7 Marsi është festa e shpirtit të kombit tonë, i cili mbijetoi falë gjuhës shqipe

10:38 | 7 Mars 2026
E.K

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Mësuesit, duke theksuar rëndësinë që ka pasur shkolla dhe gjuha shqipe në mbijetesën e kombit shqiptar.

Osmani ka thënë se 7 Marsi përfaqëson festën e shpirtit të kombit, i cili sipas saj ka mbijetuar falë gjuhës shqipe dhe përkushtimit të mësuesve ndër vite.

“Shkolla shqipe ishte akt qëndrese, në shtëpi, në bodrume e në kushte sakrifice. Në kohë përndjekjesh, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan. E mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që donte të jetonte i lirë. Nga banka e parë e shkollës deri te universitetet, është i njëjti mision, të rrisim breza që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë. Prandaj, 7 Marsi është një ditë mirënjohjeje dhe respekti për çdo mësues që, përmes dijes dhe përkushtimit edukon brezat dhe forcon themelet e shtetit”, tha Osmani.