Oda Ekonomike Amerikane reagon ndaj çrregullimeve në lëvizjen e mallrave

10:56 | 29 Janar 2026
E.H

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me çrregullimet e fundit në lëvizjen e mallrave ndërmjet Bashkimit Evropian, korridoreve rajonale të transitit dhe Republikës së Kosovës, duke paralajmëruar pasoja serioze për bizneset dhe zinxhirët e furnizimit.

Përmes një reagimi, Oda Amerikane i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që të angazhohet urgjentisht në gjetjen e një zgjidhjeje të balancuar dhe të qëndrueshme për sfidat që po ndikojnë në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe zinxhirët ndërkufitarë të furnizimit.

Sipas Odës, zhvillimet e fundit përfshirë bllokadat e vendkalimeve kufitare nga shoferët e kamionëve në disa vende të rajonit, të lidhura me zbatimin dhe fuqizimin e rregullave të reja të hyrjes në BE dhe sistemit EES – po shkaktojnë vonesa të konsiderueshme dhe po pengojnë ndjeshëm qarkullimin e mallrave.

Oda thekson se lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor janë thelbësore për ruajtjen e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe avancimin e integrimit ekonomik me tregun unik të Bashkimit Evropian. Ndërprerjet aktuale, sipas saj, tashmë po reflektohen në vonesa të dërgesave, rrezik të mospërmbushjes së kontratave, humbje financiare dhe mundësi të humbjes së klientëve ndërkombëtarë.

Duke pasur parasysh varësinë e lartë të Kosovës nga importi dhe transitimi përmes korridoreve rajonale, Oda Amerikane vlerëson se ndërprerjet e zgjatura mund të cenojnë sigurinë e furnizimit, të rrisin shpenzimet operative për bizneset dhe, rrjedhimisht, të ndikojnë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Po ashtu, këto zhvillime mund të kenë ndikim negativ në planifikimin e investimeve dhe në përmbushjen e detyrimeve financiare të lidhura me ciklet e prodhimit dhe afatet e dorëzimit.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka inkurajuar të gjitha palët relevante që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë drejt zgjidhjeve praktike, të parashikueshme dhe afatgjata, të cilat sigurojnë lëvizjen e pandërprerë të mallrave në zinxhirët evropianë dhe rajonalë të furnizimit, duke ruajtur njëkohësisht integritetin e sistemeve të menaxhimit kufitar të BE-së.

Shpërndaje në rrjete sociale