Oda e Mjekëve nis hetime ndaj mjekes në rastin e Agon Zejnullahut

19:38 | 9 Korrik 2025
R J

Për rastin e vdekjes së të riut Agon Zejnullahu në Lipjan, Oda e Mjekëve të Kosovës do ta hetojë edhe një mjeke.

Kryetari i OMK-së, Dr. Pleurat Sejdiu konfirmoi për Arbresh.info se e njëjta do të hetohet mbi dyshimet për deklaratën në kundështim me etikën profesionale dhe mosdhënie të ndihmës në vendin e ngjarjes.

“Po është dhënë autorizimi për fillimin e hetimeve dhe atë në dy pista: 1. Deklarata e mjekës që konsiderohet në kundërshtim me etikën profesionale, dhe 2 mosdhënia e ndihmës së parë në vendin e ngjarjes. Për këtë moment nuk mundemi të themi më shumë”, tha Dr.Sejdiu për Arbresh.info.

Lidhur me rastin, Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan – Departamenti i Përgjithshëm Penal ua ka caktuar masën e paraburgimit pesë policëve të dyshuar  E.B., L.RR., A.K., A.R. dhe I.N., në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Vrasje nga pakujdesia.

Agon Zejnullahut vdiq në orët e para të datës 7 korrik. Ai ndërroi jetë gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës.

Rasti është alarmuar nga mediat meqë siç shihet në video incizime i ndjeri është arrestuar dhunshëm nga pesë policë. Në video shihet se si policët i hidhen sipër, e madje njëri nga ta ia vendos gjurin mbi qafë. Në këtë moment Zejnullahu i ndalon lëvizjet.

Policët pasi ia vendosin prangat e ngritin të ndjerin ulur në gjunjë, por ai nuk jep shenja jete. I ndjeri lihet në këtë gjendje për disa minuta derisa vjen autoambulanca nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në komunën e Lipjanit.

Mjekja përgjegjëse nuk e kontrollon për shenja vitale dhe as nuk i jep ndihmën e parë. Ajo në një deklarim për media ka thënë se policët i kanë kërkuar një barelë për ta vendosur dhe për ta futur në autoambulancë. I ndjeri vendoset në barelë me duar të lidhura.

Sipas mjekes, vdekjen e të ndjerit e ka konstatuar pasi e kanë hipur në autoambulancë. Sipas saj është tentuar t’i jepet ndihma e parë por nuk ka pasur efekt.

Shpërndaje në rrjete sociale