“Nuk është AI”/ Faton Peci adreson zërat për shuarjen e Guxo-s

20:09 | 8 Maj 2026
R J

Kryetari i partisë Guxo, Faton Peci, iu ka reaguar të gjithë atyre që thonin se kjo parti ishte shuar.

Duke shpërndarë pamje nga takimi i strukturës së Guxo-s në Mitrovicë, Peci deklaron se së shpejti do të mblidhet shtabi zgjedhor i kësaj partie.

“Që pesë vjet, në studiot televizive flitet se si partia “Guxo” nuk ekziston. Tash, në prag të zgjedhjeve nacionale, na paskan shpallur se jemi shuar si parti! Për koincidencë, unë jam në takim të zgjeruar me strukturat e partisë “Guxo” në Mitrovicë. Besoj që, të gjithë ata që e shohin këtë përbërje të Guxo-s në Mitrovicë mund të thonë se… sikur të mos ishte duartrokitja, mund të thoshin se është e realizuar me AI. Këtu e kemi strukturën e Guxo-s, e bashkë me të shumë shpejt edhe shtabin zgjedhor. Tung e bëfshi nga Guxo-ja në Mitrovicë” tha Peci, në video-adresimin e tij.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, Guxo hyn në garë në koalicion me LVV-në, Alternativën dhe PSHD-në.