Modernizimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet një nga prioritetet kryesore për forcimin e mbrojtjes së vendit.
Pajisja me armatim modern, përgatitja profesionale e ushtarëve dhe zhvillimi i infrastrukturës ushtarake synojnë ta bëjnë ushtrinë gjithnjë e më të aftë dhe më të gatshme për përballimin e sfidave të sigurisë.
Investimi prej rreth 450 milionë eurosh në sektorin e mbrojtjes gjatë periudhës së kaluar konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt këtij qëllimi.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ky angazhim pritet të rritet edhe më tej, pasi gjatë katër viteve të ardhshme planifikohen mbi një miliard euro investime për modernizimin e ushtrisë, avancimin e kapaciteteve luftarake dhe zhvillimin e infrastrukturës mbrojtëse.
Në këtë kontekst, njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se rritja e investimeve në sektorin e mbrojtjes është e domosdoshme, duke marrë parasysh zhvillimet aktuale në rajon dhe më gjerë.
“Rritja e investimeve në fushën e sigurisë tani është edhe nevojë, edhe kërkesë e rrethanave aktuale dhe e trendeve të zhvillimeve në botë dhe në rajon, të cilat pa mëdyshje imponojnë një dinamikë të shtuar për konsolidimin ushtarak të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si në aspektin taktik-operativ, ashtu edhe në atë strategjik”, theksoi Fatmir Çollaku, njohës i çështjeve të sigurisë.
Ndërkohë, ekspertë të tjerë theksojnë se përveç rritjes së kapaciteteve, vendi duhet të fokusohet edhe në zhvillimin e industrisë ushtarake.
“Krahas rreziqeve dhe kërcënimeve, ekziston nevoja për pajisje dhe armatim të ri, si dhe për zhvillimin e industrisë ushtarake, për të cilën u diskutua edhe në takimin e gjeneralëve nga marrëveshja trilaterale ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Kjo tregon një përkushtim të shtuar për sektorin e sigurisë, në veçanti për FSK-në”, tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Deri më tani, Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me disa lloje armatimi dhe pajisjesh moderne ushtarake, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe vendet e NATO-s. Këto përfshijnë mjete të blinduara, dronë luftarakë, sisteme kundërtanke dhe artileri moderne, ndërsa pritet edhe ndërtimi i një fabrike të municionit./RTK
Njësia Speciale “zbarkon” në Skenderaj
Hashim Thaçi me mesazh për politikanët: Egoja në politikë të...
Zyrtare: Carlo Ancelotti në krye të Brazilit deri në vitin 2...
Amerikanët kapën tre ton kokainë me vlerë rreth 40 milionë e...
Hashim Thaçi rrëfen takimin emocional me Adem Demaçin para p...
Hashim Thaçi nga paraburgimi: Kosova më pro-amerikane në bot...