Google ADS

Një ditë me ekipin patrullues të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut–Sulmi i 24 shtatorit ndërroi gjithçka

11:00 | 18 Maj 2024
K.B

Në një realitet ku rendi dhe siguria janë sfidat kryesore, Policia e Kosovës ka ngritur standardet e saj në Mitrovicën e Veriut.

Kjo forcë e përkushtuar është në krye të përpjekjeve për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur paqen në këtë zonë të ndjeshme.
Patrullimet e policisë në këtë zonë ishin pak më ndryshe sesa herët e tjera, pasi që kjo patrullë e rendit të ditës u shoqërua nga ekipi i portalit Arbresh.info.

Gjatë patrullimeve, ne patëm mundësinë të vëzhgojmë nga afër sfidat me të cilat përballen oficerët e policisë në terren. Gjithashtu pamë nga afër përpjekjet dhe angazhimin e policisë për të garantuar rendin dhe sigurinë në Mitrovicën e Veriut.

Rrugës për në destinacionin kryesor, shefi i ekipit patrullues në stacionin policor në Mitrovicën veriore, Bujar Berisha na tregon se gjatë patrullimit në këtë zonë, çdo zyrtar policor mund t’i kryejë detyrat e tij pa asnjë problem.

“Që nga ofrimi i shërbimeve policore në nëntor të vitit 2022 Policia e Kosovës ka arritur të shtrij autoritetin në të gjithë republikës e Kosovës duke marrë parasysh edhe pjesën veriore që veç tash jemi duke patrulluar nuk e kemi asnjë problem me dy zyrtar policor mund t’i kryej detyrat e veta në çdo cep të Republikës së Kosovës”, thotë Berisha.

Sipas Berishës, pas sulmit të 24 shtatorit janë shtuar dukshëm masat e sigurisë si dhe ato të kontrolleve në këto pjesë.

“Pas sulmit në rastin e Banjskës policia i ka shtuar masat e sigurisë i ka shtuar kontrollet, kështu që tash e tutje gjithçka është në kontroll të plotë nuk kemi asnjë incident të vetëm gjithçka është normale duke funksionuar”, thekson ai.

“Kemi gjithë kohën raste që raportohen, kemi palë që pranohen në stacion për shqetësimet e tyre merremi me kundërvajtje të rëndomta si çdo pjesë e territorit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Berisha për Arbresh.info thotë se gjatë patrullimeve të rëndomta nuk ka asnjë lloj ankese.

“Jemi në patrullë të rëndomtë normale në qendër të qytetit të Mitrovicës veriore çdo gjë është në rregull nuk kemi asnjë problem dhe pa problem kryhen të gjitha shërbimet policore. Kryesisht gjithçka është në rregull nuk kemi asnjë lloj ankese apo reagimi dhe siç po shihet edhe vetë bëhet një punë normale”, pohon ai.

Sa i përket masave të reja të trafikut rrugorë, Berisha thotë se në këtë pjesë janë duke u zbatuar dukshëm.

“Rregullat e trafikut edhe në këtë pjesë janë duke u zbatuar kënaqshëm ne veç se kemi filluar me plane operative për zbatimin e rregullave të reja në trafik ka kundërvajtje nga ana e policisë, mirëpo mund të them me përgjegjësi të plotë se gjithçka është si në pjesën tjetër të territorit të Republikës së Kosovës”, tha ndër të tjera ai.

Berisha pohoi se policia e vendit ka të gjitha kapacitetet dhe mundësit për ta mbrojtur këtë pjesë të vendit.

“Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe të gjitha mundësit për ta mbrojtur këtë pjesë të vendit. Nuk kisha theksu që ka ndonjë problem, nuk kemi asnjë detyrë që nuk kemi mundur ta realizojmë deri tash. Po patrullime kemi shumë është shtuar dukshëm numri i patrullimeve dhe gjithçka është nën kontroll”, përfundoi ai.

Kaq ishte edhe vizita e ekipit Arbresh.info me policinë patrulluese në Mitrovicën e veriut. I falënderuam për kohën dhe përkushtimin e tyre, duke vlerësuar mundësinë që na dhanë për të vëzhguar nga afër angazhimin e tyre për të mbajtur rendin dhe sigurinë në këtë pjesë të vendit./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Të ngjashme