Ngërçi pas zgjedhor/ Njohësit: Asnjëri opsion i deritashëm nuk siguron Qeveri jetëgjatë dhe stabile

09:17 | 20 Mars 2025
A Z

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti fitoi 42.3 për qind të votave, duke u bërë partia me numrin më të madh të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, numri prej 48 ulësesh në Kuvend, nuk po i mjafton Vetëvendosjes për të siguruar shumicën absolute prej 61 deputetësh në 120 vende sa ka gjithsej legjislacioni.

Derisa ngërçi politik pas zgjedhor po vazhdon, Kurti këmbëngulë që Qeverinë e re do ta udhëheqë Vetëvendosje, në krye me të si kryeministër, ani se i ka të siguruara vetëm 48 ulëse.

“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet, Qeveria e sigurt e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe unë”, tha shkurtimisht Kurti në një prononcim për media kur u pyet për formimin e qeverisë.

Të shtunën e 15 marsit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shpalli rezultatet finale të këtyre zgjedhjeve, ndërsa certifikimi i tyre po zvarritet, pasi është pikërisht Vetëvendosje, ajo e cila ka kërkuar rinumërim të votave me postë.

Por, sipas njohësve të çështjeve politike në vend, a do mund të krijojë Kurti Qeverinë vetëm me pakicat jo serbe, përfshirë edhe një ulëse të siguruar nga partia serbe e Nenad Rashiqit.

Analistja politike, Magbule Shkodra nuk sheh si të mundur një gjë të tillë

Sipas saj, një opsion më i mirë për të mos pasur Kosova ngërç politik është dhënia e tri mandateve kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj.

“Atë që ka deklaruar Kurti se do ta krijojë Qeverinë vetë, ai i ka 48 mandate plus 10 mandate nga minoritetet jo serbe, janë 58, plus Nenad Rashiq 59, pra nuk janë të mjaftueshëm 61. E në këtë rast do të mund të përfshiheshin atë që e ka deklaruar Fatmir Limaj se cilido që është në gjendje për ta formuar Qeverinë ai do t’i ofrojë tre mandatet e veta në mënyrë që Kosova mos të ketë ngërç politik. Por, Kurti në vazhdimësi thotë që do ta krijoj qeverinë vetë dhe me këta numra që unë i përshkruajta nuk shoh mundësi që do të mund ta krijoj Qeverinë vetë pa përfshirjen e Limajt”, tha Shkodra.

Megjithatë, edhe nëse një qeveri në koalicion me Kurtin e Limajn, ajo thotë se nuk e sheh të qëndrueshme, madje as nëse potencialisht qeveria do bëhej nga e gjithë opozita dhe jo nga Kurti.

“Opsionin që e përshkruajta të Kurtit, po edhe opozita rastësisht bëhet bashkë cilido opsion, unë mendoj që një qeveri e tillë nuk është qeveri e qëndrueshme, posaçërisht situata me të cilat do të përballet Kosova. Besoj që do të ishte mirë që të gjithë të lëvizin nga qëndrimet që janë barrikaduar, Kurti në njërën anë se dëshiron ta formojë qeverinë vetë dhe tani kemi edhe deklaratat e opozitës se nuk bashkëpunojnë me Kurtin”, tha ajo.

Shkodra theksoi se tani nuk është momenti për përfitime politike, por është koha të mendohet për Kosovën.

“Nuk është koha për kalkulime politike dhe për përfitime, dhe për të menduar për përfitime në zgjedhjet tjera, por është koha të mendohet për Kosovën, të kemi një front unik që unë do ta propozoja që të gjitha partitë të bëhen të gjitha bashkë, të kenë një platformë të përbashkët për politikën e jashtme. Kosova nuk ka kohë për të humbur, situata gjeopolitike jashtë vendit po ndërron çdo ditë dhe ne jemi të gatshëm me njerëz të përgjegjshëm e serioz”, tha tutje Shkodra.

Ajo e sheh si të stërzgjatur kohën e numërimit të votave prej më shumë se një muaj nga ana e  KQZ-së.

Një qeveri të udhëhequr nga Kurti vetëm me pakicat, pa përfshirë Listën Serbe e sheh si të pamundur edhe politologja, Afërdita Maliqi,

Në një prononcim për Arbresh.info, ajo tha se një Qeveri e Kurtit me Listën Serbe, do ishte shkelje e parimeve të tij.

“Me numrat e tashme, Kurti mund ta bej qeverinë e re me komunitetet që vijnë nga pakicat, duke përfshirë edhe Listën Serbe, sepse pa numrat e tyre nuk mundet ta formoje një Qeveri me pakicat, sepse nuk arrin t’i bej numrat në 61. Edhe nëse bëhet kjo, dhe Kurti shkel parimin e vet për Listën Serbe, nuk është një qeveri stabile dhe rrjedhimisht nuk prodhon një qeveri me mandat të plotë, e sidomos kur në vitin tjetër na pret zgjedhja e Presidentit/es”, tha Maliqi.

Sipas Maliqit, me zvarritjen e procesit të numërimit u është dhënë kohë partive politike që të përgatiten për krijimin e qeverisë.

“Derisa ende nuk kemi certifikim të zgjedhjeve ende nuk kemi hyrë në afatet për krijimin e Qeverise. Por, kjo zvarritje e procesit të numërimit të votave, u ka jap kohë partive që të mendojnë dhe të përgatiten për krijimin e Qeverise”, tha ajo.

Ndryshe, 34 ditë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare në të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka marr shumicën e votave me 42.30 për qind apo 39, 6787 vota.

E dyta në listë është Partia Demokratike e Kosovës me 20.95 për qind apo 19, 6474 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27 për qind apo 17, 1357 vota e cila radhitet në vendin e tret.

Ndërsa e katërta është renditur koalicioni AAK-NISMA me 7.06 për qind apo 66, 256 vota.

Për të formuar Qeverinë e re, Vetëvendosje duhet të sigurojë së paku 61 deputetë nga 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Me rezultatet përfundimtare, LVV i ka të konfirmuara vetëm 48 deputet.

Kjo do të thotë që LVV do të duhet të krijojë një koalicion me parti të tjera për të arritur shumicën e nevojshme. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje ka deponuar tri ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, (PZAP). Ata kërkojnë nga ky organ t’i anulojë 18 mijë e 933 vota që i quajnë të kontaminuar e që të ketë rivotim në procesin e votimit me postë./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

 

Të ngjashme

Foto lajm