Ndërron jetë Sejdi Fejzullahu, babai i heroit, Ibrahim Fejzullahu

10:58 | 25 Shtator 2025
Q L

Ka ndërruar jetë në moshë të shtyrë Sejdi Fejzullahu, babai i heroit të Kosovës, Ibrahim Fejzullahu.

Jeta e tij ishte një rrëfim i dhembjes së thellë dhe qëndresës së pashoqe. Në vitin 1944, kur ishte vetëm 12 vjeç, ai përjetoi njërën nga tragjeditë më të mëdha të jetës: pas një beteje mes ballistëve dhe komunistëve, çetnikët serbë ia vranë nënën para syve gjatë Masakrës në Gosponicë të Preshevës. Por historia e përndjekjes nuk përfundoi aty.

Në vitin 1999, gjatë luftës së fundit në Kosovë, djali i tij, Ibrahim Fejzullahu – ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – u ekzekutua nga forcat e regjimit të Millosheviqit, duke hyrë përgjithmonë në altarin e lirisë si hero i Kosovës.

Në nderim të veprës së tij, Brigada 113 e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB) mbante emrin e Ibrahim Fejzullahut, duke e bërë kështu sakrificën e tij simbol të rezistencës kombëtare. Fejzullahu do të varroset sot në varrezat e qytetit në Preshevë./rtk