Qetësia për banorët e fshatit Nakaradë është bërë e padurueshme. Banorët vuajnë nga mungesa e kushteve elementare që, sipas tyre, do t’u bënte jetë më dinamike, do t’u jepte gjallëri.
Të gjendur në mes komunave Fushë-Kosovë e Obiliq, banorët ankohen për shumëçka, por më shumë për mungesën e një objekti shkollor. Ata janë lodhur nga presioni i transportit të çdoditshëm të fëmijëve të tyre deri në shkollat e Fushë-Kosovës, ndërsa ëndërrojnë që një ditë edhe aty të dëgjohet “zilja e shkollës”. Afro 300 fëmijë të fshatit bëjnë sakrificën për të mos ngelur analfabetë – udhëtojnë 6 kilometra deri në shkollën “Selman Riza” në Fushë-Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Fshatarët e Nakaradës, teksa po mbyllet edhe një vit shkollor, nuk e kanë shpjegimin e duhur se si dhe pse janë harruar nga pushteti komunal dhe kanë mbetur pa objekt shkollor, megjithëse e ndiejnë veten si kontribuuesit më të mëdhenj të arsimit në këtë komunë. Thonë të kenë lëshuar 4 shtëpi për nxënësit e kësaj komune për të vijuar mësimin në kohën e paraluftës.
Jakup Islami thotë të mos e dijë si t’ia bëjë me nipin që i është bërë gati për shkollë. Atij i duket pak e vështirë shkuarja e përditshme deri në shkollën e qytetit, që nipi i tij të mund të nisë mësimin. Thotë të mos e dijë edhe nëse fshati është lënë pas dore qëllimisht.
“Është keq ta lëvdosh veten, por nuk ka asnjë kontribuues në Komunën e Fushë-Kosovës sesa kjo lagje këtu dhe fshati në përgjithësi. Ka kontribuuar për arsimin, kulturën, politikën e në të gjitha aspektet, por sot kemi mbetur të anashkaluar tërësisht. Nuk e di a na kanë lënë me ndonjë qëllim a jo”, ka thënë Jakup Islami.
“Kur ka qenë koha për t’i lëshuar shtëpitë-shkolla, kjo lagje këtu i ka lëshuar 4 shtëpi për Fushë-Kosovën. Derisa kanë funksionuar shkollat kam qëndruar gjithmonë këtu. Nuk kam shkuar as nëpër akraba vetëm të qëndroj këtu afër”, është shprehur Jakupi.
Osmani: Sa herë që Kosova ka nevojë për dinjitet shtetëror e...
Komisioni Evropian zhbllokon 16 miliardë euro për Hungarinë,...
Pulis krahason Artetën me Ferguson: Mund të ndërtojë një din...
Deri në 30 vite burgim për zjarrvënësit e qëllimshëm, Shqipë...
Thirrje për përgjegjësi e refuzim të gjuhës së urrejtjes
Negociatat SHBA–Iran ende të brishta, pa marrëveshje përfund...