Mustafa: Vendimi i Kushtetueses nuk e vë në pikëpyetje dialogun me Serbinë

13:23 | 12 Nëntor 2015
M. A.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, nuk e vë në pikëpyetje dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve.

Këto komente Mustafa i bëri në mbledhjen e Qeverisë, ku u miratuan një mori draft konceptesh që kishin të bënin me disa fusha.

Kryeministri Mustafa foli edhe për Raportin e Progresit, raport ky që sipas Mustafës e vë në pah progresin e arritur në Kosovë. Ky raport, vlerëson siç tha Mustafa vendimet e mëdha që janë marrë lidhur me themelimin e Dhomave të Veçanta dhe progresin e arritur në dialogun me Serbinë.

“Mund të them që është një raport i rëndësishme për ne, një raport që në mënyrë reale prezanton situatën në vendin tonë. .. Ky raport vlerëson progresin që e kemi bërë ne me marrjen e përgjegjësive mjaftë të rëndësishme, veçmas tek vendimi edhe i Qeverisë edhe Kuvendit për themelimin Dhomave të Veçanta, progresin që kemi bërë në dialogu n me Serbinë edhe me normalizimin e marrëdhënieve përkundër problemeve që ne i kemi me opozitën”, tha Mustafa.

Mustafa tha se do të adresohen të gjitha vërejtjet që janë dhënë nga ky raport. Ai shtoi se edhe pse nuk u anëtarësua Kosova në UNESCO, Kosova ka arritur të ketë përkrahjen e 92 shteteve dhe ky është një impuls që pas 2 viteve, Kosova të mos merr 95 vota por të synoj për më shumë.

Mustafa lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të pezulluar përkohësisht marrëveshjen për Asociacionin, tha se ky vendim nuk e vë në pikëpyetje dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi foli në këtë mbledhje të Qeverisë për UNESCO-në dhe mos pranimin e Kosovës në këtë organizatë, duke thënë se mos pranimi i Kosovës nuk minimizon të arriturat që janë bërë në vend, të cilat sipas tij janë evidentuar edhe në Raportin e Progresit. Si pas tij gjuha e përdorur nga shteti serb por edhe nga kisha është agresive, luftënxitëse dhe në kufi me racizmin.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka paraqitur propozimin për amendamentimin e Kushtetutës lidhur me Këshillin Gjyqësor.

Pas pavarësisë që ka arritur ky institucion, sipas Kuçit tani është koha që gjyqtarët të kenë pavarësi funksionale. Ai tha se Ministria e Drejtësisë ka propozuar që të ketë rritje të numrit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga 5 në 7. Sipas Kuçit, ky propozim është në vijë me rekomandimet e Raportit të Progresit dhe Komisionit të Venedikut.

Ndryshimi kushtetues kishte të bënte me dhënien e pavarësisë funksionale për këta gjyqtar. Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe ndarjen e mjeteve financiare për dëmet e shkaktuara në trazirat e ashtuquajtura të marsit 17 dhe 18 mars 2004.

Ndërsa, zëvendësministri i MAPL, Bajram Geci ka paraqitur koncept dokumentin për kryeqytetin.

Kryeministri Mustafa tha se është folur shumë për ligjin për kryeqytetin dhe se kjo fazë parapërgatitore do të përfshijë shumë akterë.

Qeveria po ashtu ka marrë vendim për t’i propozuar Kuvendit emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të prokurimit. Emrat e propozuar janë Agim Shala dhe Vjosa Shala – Kurtishaj. Qeveria ka marr vendim për t’i propozuar Kuvendit Arsim Janovën, Qemajl Mustafën dhe Besim Sefiajn për anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Po ashtu, në këtë mbledhje zëvendëskryeministri Thaçi njoftoi për nismën Fondi për Ballkanin Perëndimor, ide kjo nga ish-komisionari për zgjerim, Shtefan Fyle nismë kjo që për qëllim ka nxitjen e bashkëpunimit në mes të gjashtë vendeve të rajonit, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbia dhe Maqedonia. Selia e këtij fondi do të jetë në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë. Thaçi me këtë rast kërkoi nga Qeveria të dërgoj për miratim në Kuvend këtë marrëveshje.

Shpërndaje në rrjete sociale