Mushkolaj e quan të dyshimtë vendimin për rinumërim të 1472 vendvotimeve

23:59 | 11 Nëntor 2019

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë se puna e vendimeve për numërim dhe rinumërim të votave ia kujton telenovelat latine pasi thotë se e ka kaluar çdo masë të kohëzgjatjes.

Ai thotë se kjo e ka zbehur suksesin e arritur më 6 tetor dhe besimin e qytetarëve.

“Ky vendimi për rinumërimin e atyre votimeve unë mendoj që do të marrë goxha kohë, mendoj që nuk është dashur të zgjas kaq shumë. Kjo tej zgjatje e procesit i ka rrit dyshimet që çka ka ndodhë që të vijë deri në këtë situatë sepse kemi situatën kur njëherë u tha se e kaloi pragun, njëherë nuk e kaloi. Kemi vërtet arsye të besojmë se ka ndodhur diçka. Nëse e krahasojmë me praktikën se si kanë shkuar zgjedhjet e mëparshme ka kaluar edhe kohen se kur është dashur të certifikohen zgjedhjet. Data 9 nëntor ishte data e fundit kur duhej të certifikoheshin zgjedhjet krahasuar me zgjedhjet e kaluara”, ka thënë ai.

Sipas tij nëse KQZ dhe PZAP e kanë pasur ndërmend t’i rinumërojnë këto vendvotime, është dashur të rinumërohen në fillim e nuk është dashur të pritet kaq shumë.

Ai thotë edhe për votat e Serbisë nuk është dashur të shpallen njëherë rezultatet e pastaj të shpallen të pavlefshme.

Kjo mënyrë, sipas tij, e rrit dyshimin se procesi nuk ka shkuar si duhet dhe nuk është në rregull.

“Unë nuk pres që do të ketë shumë ndryshime tek emrat. Më tepër pres që Nisma të futet në parlament, dhe anulimi i votave serbe nuk është që e pengon Listën Serbe sepse ajo i ka 10 vende”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjithë kjo sagë ka përfunduar me epilogun që Nisma të futet në Kuvend.

Ai thotë se e njëjta PZAP që i ka lejuar këto vota serbe, është e njëjta që po i anulon. Mushkolaj thotë se ka qenë e qartë se çfarë do të ndodhë me këto vota.

“Nëse kanë qenë të ligjshme atëherë pse duhet tash të jenë të paligjshme. Është një situatë e paqartë. Një situatë që ngjallë dyshime për secilën prej nesh. Nisma edhe pse do të hyjë në parlament ajo do të pështillet me mjegullën e dyshimit. Atyre mund të mos iu bëjë përshtypje”, ka shtuar ai.

Ai tutje potencon se nëse gjithë kjo sagë ka ndodhur që Nisma të hyjë në Kuvend dhe nuk pret që rezultati të ndryshojë pas rinumërimit.

“Pse ka nevojë një situatë kaq e ndjeshme të prolongohet mundësia e fituesve të zgjedhjeve ta krijojnë tërë kjo stërzgjatje”, ka thënë ai.

Mushkolaj po ashtu ka thënë se nëse VV-ja e LDK-ja, i përmbahen premtimeve që PAN-i duhet të mbesë në opozitë, futja e Nismës në qeveri do të ishte e palogjikshme.

Ai ka thënë se futja e Nismës në Kuvend ngjall shumë pikëpyetje në situatën aktuale.

“Nuk besoj që do ta marrin Nismën për të zvogëluar ndikimin e Listës Serbe, por nëse Nisma nuk hyn në parlament logjika thotë se do të kishin shumicën e thjeshtë të votave, por tash komplikohet situata sepse hiqen gjashtë deputetë dhe mbeten te opozita”, ka thënë ai.

Sipas tij, një dështim i marrëveshjes mes VV-së e LDK-së për të formuar qeverinë, do të dëmtonte LDK-në në rast të zgjedhjeve të reja.

“Nuk shoh arsye të mos ketë marrëveshje. Madje edhe për postin e presidentit mund të ketë zgjidhje. Të ngrihet ai post të caktohen ekipe punuese. Nuk besoj që VV-ja do t’ia japë tash LDK-së këtë post, sepse VV-ja qysh para fillimit të negociatave ka thënë se e mbështet një kandidat konsensual, e Mustafa nuk është. Ka plot figura të tjera, apo mund ta bëjnë reformën, por mos ta bllokojnë vendin tash për këtë pikë”, ka deklaruar ai. “Po të shkohet në zgjedhje prapë, LDK-ja do të dëmtohej sepse qytetarët e kanë votuar kushtimisht ndryshimin, edhe pse jam skeptik se çfarë ndryshimi mund të sjellë LDK-ja pasi që ka qenë në pushtet. E kanë votuar megjithatë VV-në më shumë. Është mesazh i drejtë i qytetarëve e nëse shkohet edhe njëherë në zgjedhje, LDK-ja s’mund ta arrijë asnjëherë rezultatin e fundit”.

Mushkolaj ka thënë se është skeptik që sivjet do të formohet qeveria, duke u bazuar në zgjatjen e procedurave të zgjedhjeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara