Interesimi i serbëve të veriut për pajisje me targa dhe dokumente udhëtimi të Republikës së Kosovës po mirëpritet nga diplomatë evropianë të akredituar në Kosovë.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund sot mori pjesë në Leposaviq e Zubin Potok, aty ku sot u zhvillua fushata ndërgjegjësuese e Qeverisë së Kosovës për liberalizimin e vizave.
Furgoni i mbushur me broshura në të cilat shkruhen procedurat për të lëvizur lirshëm në Evropë, të martën vazhdoi në Leposaviq. Atje nga afër u përcoll edhe nga ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Ai u shpreh i gëzuar me interesimin e qytetarëve serbë të komunave veriore, për t’u pajisur me pasaporta të Republikës së Kosovës, raporton RTKlive.
“Po shohim një trend pozitiv të serbëve të Kosovës që po aplikojnë për pasaporta të Republikës së Kosovës, për targa të veturave. Kjo mund të kontribuojë që t’i bashkojë qytetarët pa dallim. Mendoj se është jashtëzakonisht pozitive”, tha ai.
Nga Leposaviqi, zyrtarët qeveritarë lëvizën për në Zubin Potok, atje ku qytetarët kishin pak informacione për procedurat që duhet t’i ndjekin pas 1 janarit.
Në përcjellje të Policisë së Kosovës, fushata u përmbyll në komunat veriore, për të vazhduar të mërkurën në Graçanicë.
Haradinaj: Greva e minatorëve u shndërrua në një rezistencë ...
Hamza në 37-vjetorin e grevës së minatorëve: Sakrifica e tyr...
Viktimat e Epstein do paguhen 35 milionë dollarë si pjesë e ...
Trump: FIFA do të mbledhë 75 milionë dollarë për projektet s...
Sot protesta e opozitës para Kryeministrisë, rrugët që bllok...
Hekuran Murati: Buxheti 2026 është i përkohshëm dhe emergjen...