Është koha e fundit që të gjithë ta kuptojnë rolin e tyre në procesin e integrimit evropian pavarësisht çfarë funksioni mbajnë. E kemi raportin për vendin dhe sfidat e identifikuara, po ashtu e kemi Agjendën Evropiane të Reformave dhe MSA-në si dokumente udhërrëfyese. Le të krijojmë një konsensus nacional për të gjitha çështjet dhe reformat që janë pjesë e këtyre dokumenteve dhe të ecim para, potencoi Ministrja Hoxha në Seancën e jashtëzakonshme kuvendore lidhur me Raportin për vendin nga Komisioni Evropian.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në Seancën e jashtëzakonshme të iniciuar nga deputetët për Raportin për Vendin si dokumenti më i rëndësishëm i Komisionit Evropian për vendin, duke e konsideruar real dhe pozitiv edhe nga perspektiva krahasuese me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ministrja Hoxha ka përmendur shkurtimisht të arriturat e evidentuara aty, si Zgjedhjet e vitit 2017, Votimi në Kuvend i Ligjit për Ratifikimin e demarkacionit, Progresi në Reformën e Administratës Publike dhe rishikimit të agjencive dhe trupave të pavarura, Progresi në zbatimin e pakos ligjore të vitit 2015, Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në drejtësinë e Kosovës.
Në kuadër të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, theksoi Ministrja, është shënuar progres në trajtimin e rasteve të shënjuara, duke përfshirë vendimet e shkallës së fundit si dhe në konfiskimet preliminare, progres në luftën kundër terrorizmit, masat për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, radikalizmin dhe parandalimin e qytetarëve për t’u bashkuar konflikteve në vendet e treta.
Në Kosovë, vuri në dukje Ministrja, Raporti ka cekur se ka mjedis pluralist dhe dinamik të mediave, kemi rezultate shumë të mira në fushën e zhvillimit ekonomik, është përmirësuar mjedisi i të bërit biznes, Qeveria ka respektuar rregullin fiskal për deficitin buxhetor, eksporti ka shënuar rritje, ka progres në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, masat për marrëdhëniet e mira dhe konstruktive bilaterale me vendet e rajonit, angazhimi i Kosovës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, progres në lirinë e lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve, tatimit, doganave, prokurimit, konkurrencës dhe në menaxhimin e migrimit të rregullt e ilegal.
“Raportin duhet ta shohim dhe ta trajtojmë me objektivitet ashtu siç është. Askujt nuk i bën nder dhe nuk na duhet që të mohohen të arriturat dhe progresi të cilin e përmend Komisioni Evropian në raport. Po ashtu, askujt nuk i duhet që të mos flasim edhe për sfidat të cilat janë specifikuar në raport”, vuri në pah Ministrja Hoxha, duke shtuar sfidat e raportit.
Sipas Ministres, Raporti ka evidentuar si sfidë, fragmentimin dhe polarizimin e vazhdueshëm politik, duke ndikuar negativisht në rolin e Kuvendit dhe kanë ndikuar në efektivitetin e Qeverisë. Veprime të papranueshme nga një numër i deputetëve gjatë periudhës raportuese, të tilla si përdorimi i gazit lotsjellës, kanë penguar punën e Kuvendit.
“Ka shqetësime sa i përket politizimit të administratës, duhet të punohet në rritjen e kapaciteteve të gjyqësorit dhe eliminimit të ndikimit politik, institucionet të jenë më efektive për të luftuar pastrimin e parave, korniza ligjore garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në përputhje me standardet evropiane por megjithatë, nevojiten përpjekje shtesë lidhur me zbatimin, Ekonomia joformale, rritja e papunësisë e cila kryesisht ka prekur gratë, të rinjtë dhe punëtorët e pakualifikuar, përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe adresimi i boshllëqeve të aftësive në tregun e punës si dhe adresimin e çështjeve mjedisore”, ka theksuar Ministrja.
“Duhet të fokusohemi në fuqizimin e zbatimit të ligjeve, implementimin e reformës së administratës, avancimin e politikave të punësimit dhe arsimit, vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi Ministrja Hoxha duke kërkuar krijimin e një konsensusi nacional për reformat dhe proceset që janë pjesë e rrugës sonë drejt integrimit.
“Asnjë projektligj, reformë apo proces tjetër nuk guxon të ngec për shkak të mos pajtimeve politike e partiake. Është koha e fundit që të gjithë ta kuptojnë rolin e tyre në procesin e integrimit evropian pavarësisht çfarë funksioni mbajnë. E kemi raportin për vendin dhe sfidat e identifikuara, po ashtu e kemi Agjendën Evropiane të Reformave dhe MSA-në si dokumente udhërrëfyese. Le të krijojmë një konsensus nacional për të gjitha çështjet dhe reformat që janë pjesë e këtyre dokumenteve dhe të ecim para”, potencoi Ministrja Hoxha./arbresh.info/
Djali i dëshmorit Zejnullah Elshani diplomon në ShBA, ushtar...
Lushtaku ngushëllon familjet Aliu dhe Binaku pas tragjedisë ...
Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, autori mbërrin në spi...
Një muaj paraburgim për të dyshuarin për grabitje në Gjakovë...
49 aksidente trafiku e mbi 2200 gjoba të shqiptuara brenda 2...
Hiqet tabela me emrin e Gjingjiqit në Mitrovicën e Veriut, m...