Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar sot fushatën ndërgjegjësuese kundër të shtënave festive.
Në këtë konferencë morën pjesë, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Kryesuesi i Komisionit për Armë të Vogla dhe të Lehta, Blerim Gashani, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Peter Vallaste, Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP në Kosovë, Nuno Queiros, Drejtori i Departamenti të Rendit Publik në Policinë e Kosovës, Arbnesh Ajvazi, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, përfaqësues të medias, të bashkësive fetare, etj, transmeton Arbresh.info.
Në hapje të kësaj fushate, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, vuri në dukje se në aspektin e parandalimit, përveç rolit kryesor të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj përkatëse, është i domosdoshëm edhe angazhimi i fuqishëm i aktorëve të tjerë institucionalë, shoqërisë civile, mediave dhe vetë qytetarëve. Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe qasjeve të koordinuara mund të shmangim pasojat e rënda që sjell posedimi i armëve të paligjshme dhe veprimet kriminale.
“Misioni ynë, i përkushtimit të përditshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj, është ndërtuar mbi parimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe të pandashëm me qytetarët. Qëllimi ynë është ngritja e vazhdueshme e nivelit të sigurisë në Republikën e Kosovës, duke garantuar jo vetëm rendin dhe qetësinë publike, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët tanë”, theksoi Gashani.
Ndër të tjera, Gashani theksoi se kjo fushatë synon të parandalojë keqpërdorimin e armëve të zjarrit, të forcojë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe organeve të zbatimit të ligjit, të ndalojë gjuajtjet festive dhe të krijojë një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në hapje të kësaj fushate folën edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Peter Vallaste, si dhe Drejtori i Departamentit të Rendit Publik të Policisë së Kosovës, Arbnesh Ajvazi.
Qëllimi kryesor i kësaj fushate është ngritja e vetëdijes kolektive, ndërgjegjësimi lidhur me pasojat nga keqpërdorimi i armëve, rreziqet që sjellin armët e zjarrit për popullatën në përgjithësi, mundësinë e parandalimit të lëndimeve dhe fataliteteve me armë zjarri gjatë ahengjeve dhe ngjarjeve festive.
Kjo fushatë është vazhdimësi e vitit të kaluar, ku Ministria e Punëve të Brendshme ka për synim ngritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët e republikës së Kosovës. Bazuar në të dhënat zyrtare, numri i rasteve të raportuara nga ana e qytetarëve në Policinë e Kosovës për përdorim të armëve gjatë ahengjeve familjare, është rritur për 40% më shumë në krahasim me vitin e kaluar.
Fushata vetëdijesuese “Festo me zemër, jo me armë”, mbështetet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, përmes përkrahjes financiare nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Suedia, Holanda dhe Norvegjia, si dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes fondit të mirëbesimit MPTF./Arbresh.info
Tatimi në pronë deri 300%? Nga 1 janari në fuqi ligji që po ...
Dy të therur pas një përleshjeje në Vushtrri
Turqia ndaloi 115 të dyshuar të Shtetit Islamik para festave...
Paralajmërime për mot të ftohtë dhe erëra të forta në Britan...
Thyhen 7 vetura në parkingun e një objekti në Fushë Kosovë, ...
Sy më sy, Labi dhe Fjolla përplasen ashpër