“Kushërinjtë janë për dasma, jo për me i shti në punë”, kështu kishte deklaruar kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë fushatës në vitin 2021.
Kushërinjtë në punë jo, por diçka pothuajse e ngjashme ka ndodhur së fundmi me një nga ministrat e tij.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci i ka thënë një grant prej 100 mijë eurosh vëllait të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit për një shtallë, e 50 mijë të tjera i janë ndarë një bashkëpartiaku të tij për ndërtimin e disa vilave, raporton Arbresh.info.
Krejt këtë, analistët politikë po e shohin si skandal të ministrit Peci, duke shtuar se Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me pretendimin për të luftuar këto gjëra, ndërsa sot vetë po i bënë.
Analisti, Artan Muhaxhiri për Arbresh.info thotë se anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë kundër këtyre gjërave në të kaluarën sa ishin pa ardhur në pushtet, ndërsa sot vetë po i bëjnë të njëjtat gjëra.
“Problemi kryesor në këtë ngjarje paraqet arsyetimi zyrtar për “mos diskriminim të familjarëve të pushtetarëve” në raport me paratë publike, gjë që është 100 për qind në kundërshtim me qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje derisa ishte në opozitë. Me vite të tëra, anëtarët e kësaj partie kanë qenë skajshmërisht të ashpër duke moralizuar që pjesëtarët e pushteteve të kaluara me automatizëm janë përkrahur në dëm të jo pushtetarëve. Tash i bëjnë të njëjtat veprime dhe i përdorin të njëjtat përligjje”, thotë Muhaxhiri.
Sipas analistit, Kurti kishte premtuar pastërti absolute morale, dhe duke i parë gjithë skandalet deri më sot, tabloja qeveritare bëhet e zymtë.
“Qeveria Kurti ka premtuar pastërti absolute morale, prandaj secili skandal e dëmton në mënyrë të veçantë imazhin e saj. Kur këtyre u shtohen edhe stagnimet në zhvillimin ekonomik dhe investimet strategjike infrastrukturore, bashkë me izolimin ndërkombëtar gjeopolitik – tabloja qeveritare bëhet e zymtë. Kjo nënkupton që në zgjedhjet e 9 shkurtit populizmi sërish do të jetë fokusi kryesor i tentimeve të Kryeministrit Kurti për ta bindur elektoratin që t’ia japë edhe një mandat të ri të përmasave të 14 shkurtit 2021”, thekson Muhaxhiri.
E nga ana tjetër Arton Demhasaj shprehet se Qeveria Kurti ka qenë e zhytur në skandale qysh në fillimet e para.
Ai përmend aferën e Martin Berishaj, çështjen që lidhet me Nagip Krasniqin, rezervat shtetërore, dhe tash këtë të fundit me grantet në bujqësi.
Demhasaj thotë se të gjitha këto tregojnë se kjo Qeveri ka qenë e zhytur në afera apo skandale dhe korrupsion.
“Është absurde që në ministrinë e Bujqësisë me ju jep grante nga 100 mijë euro këshilltarit të ministrit, vëllait të deputetes apo dajës, këto janë absurde
As në të kaluarën nuk është përfolur për kësi niveli të skandalesh si ky i fundit”, thekson analisti.
Çfarë ndodhi?
Vetëm katër ditë pasi e kishte regjistruar biznesin Blerim Pacolli, vëllai i deputetes, Fitore Pacolli përfitoi grant në vlerë prej 100 mijë eurove nga Ministria e Bujqësisë, e udhëhequr nga Faton Peci
“Alda Farm Ria”, kompania nën pronësinë e Blerim Pacollit, u bë përfituese e grantit vetëm pak ditë pasi ai kishte regjistruar biznesin e tij.
Çfarë tha Peci?
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, ka reaguar me anë të një shkrimi në rrjetin social Facebook.
Peci tha ditëve të fundit ka qenë cak i sulmeve dhe shpifjeve nga LDK e PDK.
Sipas tij, ato janë shoqëruar edhe me anë lajmeve te rreme, linçimeve, e ofendimeve të sinkronizuara nga disa zhurmues që thirren në emër të qytetarëve dhe fjalës së lirë.
Ai ka shpjeguar gjerësisht procesin e aplikimit për subvencionim të bujqve me grante.
Madje i pari i MBPZHR-së e ka shpjeguar edhe situatën ku dyshohen se janë përfshirë edhe familjarë të deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.
“Rreth pretendimit se një familjar i një deputeteje është përfitues i grantit dhe pretendimit se vetëm 4 ditë para përfitimit të grantit ka hapur biznes më lejoni që t’iu qartësoj reformën që kemi ndërmarrë. Me qëllim të formalizmit në bujqësi, çdo individ që është përfitues në vlerë më të larte se 30,000 €, para nënshkrimit të kontratës me AZHB-në, duhet t’i regjistrojnë veprimtarinë e tyre si biznes dhe investimet/shpenzimet e zbatimit të projektit duhet të faturohen në emër të biznesit. Në dy programet e fundit për zhvillim rural 351 raste të tilla, ndërmarrje të reja të regjistruara. Ndërsa rreth pretendimit se projekti i përfituar nuk është realizuar, ju informojmë se afati për implementimin e projekteve të tilla zgjat 12 muaj”, kishte shkruar ministri Peci.
Ky nuk është skandali i vetëm i ministrit Peci.
Peci, i ka dhënë grant bashkëpartiakut të tij, Bahtijar Berishës, në projektin mbi 84 mijë euro për ndërtimin e tri vilave në Komunën e Dragashit. Ky projekt u miratua nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), e cila vendosi të financojë 60% të kësaj shume. Periskopi ka siguruar dokumentet e fotot, ku anëtari i kryesisë së partisë me të cilën udhëheq Faton Peci e Donika Gërvalla, ka ndërtuar tri vilat me nga 5 shtretër, 2 dhoma gjumi, banjo dhe dhoma të ndenjës.
Nuk përfundojnë me kaq skandalet e tij.
Nga 21 kandidatë të cilët kishin plotësuar kushtet për një pozitë pune në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor (AZHB), në ministrinë e udhëhequr nga Faton Peci, me më së shumti pikë u vlerësua motra e zv.ministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Gashanit.
Më 84.6 pikë, Komisioni vlerësoi se Blertë Berisha, motra e Gashanit, arriti ta fitoj pozitën në AZHB.
Të martë, Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Paris Guri, kryetar i rinisë së LDK-së akuzoi ministrin Peci për keqpërdorim të buxhetit të shtetit.
“Sot kemi dërguar kallëzim penal kundër Faton Pecit dhe Fitore Pacollit, pas skandalit që është zbuluar që Fitore Pacolli përmes lidhjeve të saja i kanë ndarë 100 mijë euro vëllait të saj. Ditën e djeshme u zbulua skandali që përveç vëllait të saj ia ka ndarë edhe dajës së saj 100 mijë euro të tjera. Kjo tregon që fondet e qytetarëve, buxheti i Kosovës po keqpërdoren në mënyrë brutale. E ne kemi parë edhe reagimet e bujqve, çfarë është më shqetësuesja që gratë e Krushës që e kanë bërë një sakrificë të madhe për Kosovën janë refuzuar për të marrë grand”, kishte thënë ai.
Kohë më parë, Arbresh.info kishte raportuar më gjerësisht rreth skandaleve të ministrave të Kurtit, listës tani i është shtuar edhe Faton Peci./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Maqedonci tregon pse s’shkoi FSK-ja në veri
Horoskopi ditor
Mësohet ekipi i parë që është eliminuar nga Liga e Kampionëv...
Ushtarët shqiptarë, patrullojnë nëpër Istog
Kanosi me thikë disa qytetarë dhe dëmtoi një veturë, arresto...
Një milion italianë u larguan nga vendi në 10 vitet e fundit