Ministri Berisha dhe ambasadori i Shqipërisë flasin për transformimin e FSK-së

13:36 | 5 Tetor 2017

Sot ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha priti në takim pune ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi.

Berisha shprehu gatishmërinë për bashkëpunim, ndërsa theksoi se bashkëpunimi  i mirë i deritashëm në mes të dy ministrive do të thellohet edhe më tej sidomos në fushat e edukimit, trajnimit dhe të  ushtrimeve të përbashkëta në mes ushtrisë së Shqipërisë dhe FSK-së.

Berisha u shpreh se Kosova, përkatësisht MFSK-ja po pret angazhimin e Shqipërisë për inkuadrimin e Kosovës në nismat regjionale të sigurisë, e cila me përvojën e saj do ta ndihmojë edhe në fushën e integrimeve euroatlantike.

Po ashtu, ministri Berisha e njoftoi  ambasadorin Minxhozi rreth procesit të transformimit të  FSK-së në FAK, i cili  proces, siç tha  ai, kërkon angazhimin e faktorëve relevantë të brendshëm në bashkëpunim me partnerët  strategjikë të Kosovës.

Minxhozi e  uroi ministrin Berisha për detyrën e re, duke nënvizuar se Shqipëria është e gatshme të thellojë bashkëpunimin  në fushën e sigurisë në mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe MFSK-së, si dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët në të mirë të sigurisë së dy vendeve tona, rajonit  dhe më gjerë.

Ambasadori Minxhozi, në fund  të takimit, paralajmëroi edhe vizitën e ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaqka, e cila do të zhvillohet gjatë muajit nëntor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara