Merkel thotë se Evropa nuk mund të mbështetet në Amerikën e Trumpit

17:28 | 28 Maj 2017

Kancelaria gjermane Angela Merkel, i ka sugjeruar Gjermanisë dhe gjithë Evropës që të mos vazhdojnë të llogarisin në mbështetjen amerikane për aq sa Donald Trump është në krye të SHBA’së.

Duke folur në një fushatë në Bavari, Merkel theksoi nevojën për marrëdhënie miqësore me Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Rusinë.

Por, ajo shtoi: “Ne, evropianët, duhet vërtet ta marrim fatin tonë në duart tona.”

Ajo ka thënë se kohërat kur ata mund të llogarisin plotësisht në tjerët kanë mbaruar disi.

“Kohërat në të cilat ne mund të llogarisim plotësisht në tjerët kanë mbaruar disi, siç edhe e kam përjetuar në ditët e fundit,” ka thënë Merkel.

Komentet e saj vijnë pasi Trump tha se ka nevojë për më shumë kohë për të vendosur nëse SHBA-ja do të vazhdojë ta përkrahë marrëveshjen e Parisit për klimën, gjë që i ka irrituar diplomatët evropianë.

Qëndrimi i Trump e ka bërë Merkelin që t’i përshkruajë si të pakënaqshme bisedimet e grupit G7 për ndryshimin klimatik.

“Nuk ka indikacione nëse Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë apo jo në Marrëveshjen e Parisit,” ka thënë ajo.

Lajmet më të lexuara