Sot, me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake, u zhvillua ceremonia e varrimit të heroit dhe ish-veteranit të luftës, Naser Shala, i njohur me nofkën e luftës “Komandant Ftyra”.
Naser Shala ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një kontribuues i dalluar në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit të vendit. Përkushtimi i tij në luftën çlirimtare dhe puna e palodhur pas luftës në institucionet shtetërore janë shembuj të ndritshëm të atdhedashurisë dhe përkushtimit qytetar.
Ceremonitë mortore nisën me homazhe në sallën e sportit të Banjës, ku shumë bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë bënë nderimet e fundit pranë arkivolit të tij. Në mesin e pjesëmarrësve ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, strukturave komunale, si dhe personalitete të tjera nga jeta publike në trojet shqiptare, njofton Komuna e Malishevës.
Në mbledhjen komemorative të mbajtur pas homazheve, u ndanë kujtime dhe vlerësime për jetën dhe veprimtarinë e Komandant Ftyrës. Fjalime mbajtën Fatmir Limaj, komandant Çeliku dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Ekrem Kastrati, kryetar i Komunës së Malishevës, Metush Kryeziu, kryetar i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë; dhe Fatmir Shurdhaj, në emër të familjes dhe banorëve të fshatit Banjë.
Në këto fjalime, u vlerësua lart jeta dhe sakrifica e Naser Shalës, si ushtar i celulave të para të njësisë “Çeliku”, si organizator i palodhur i strukturave të rezistencës dhe si shërbyes shembullor në institucionet shtetërore të Kosovës.
Në emër të të gjithë bashkëluftëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, u shprehën ngushëllime të sinqerta familjes Shala, me mesazhin që të jenë krenarë për jetën dhe veprën e të ndjerit, i cili la pas gjurmë të pashlyeshme në historinë e re të Kosovës.
“Ne ndajmë dhimbjen tuaj për këtë humbje të madhe, por krenaria për jetën dhe veprat e Naserit do të na udhëheqë përherë,” u theksua ndër të tjera në fjalimet përshëndetëse.
Ceremonia përfundoi në varrezat e fshatit Banjë, ku me nderime ushtarake dhe rite fetare, Naser Shala – Komandant Ftyra, u përcoll për në banesën e fundit, duke lënë pas një trashëgimi krenare për brezat që vijnë./rtk
Operacion policor në Fier, sekuestrohen dy armë zjarri
Liverpooli ia “mbyll derën” Juventusit për Chies...
Merret vendim në tërë Kosovën, shtyhet procesi mësimor deri ...
KRU “Mitrovica” apelon te konsumatorët që uji të mos përdore...
Parashikimi i motit për nesër, me riga shiu
Lëndohet përsëri Ter Stegen