Më 24 qershor Kuvendi mblidhet në seancë plenare, këto janë pikat e rendit të ditës

16:05 | 18 Qershor 2021

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, nën drejtimin e të parit të Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe me përfaqësues të grupeve parlamentare.

Në këtë mbledhje u vendos që seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet të enjten më 24 qershor, më 10 pika të rendit të ditës, transmeton arbresh.info

Njoftimi i plotë:

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryekuvendarit Glauk Konjufca, mbajti sot mbledhjen e radhës, së bashku me përfaqësues të grupeve parlamentare.

Kryesia vendosi që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 24 qershor, me 10 pika të rendit të ditës,

Kështu, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në seancën e të enjtes Kuvendi do të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për të vijuar më pas me shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë edhe rekomandime të tjera ky komision: rekomandimet për Raportin e Auditimit të performacës zbatimi i rekomandimeve të raportit “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve”, rekomandimet lidhur me Raportin e Auditimit të performacës “Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”, si dhe ato për Raportin e Auditimit të performacës “Organizimi dhe menaxhimi i Investimeve të Teknologjisë së Informacionit në Institucionet Publike”.

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, i bartur nga seanca e fundit.

Kryesia po ashtu vendosi që të martën, më 22 qershor 2021, Kuvendi të mbajë seancë solemne, për nder të ministrit të jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, i cili do të mbajë një fjalë rasti.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi të rishpallet konkursi publik për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga radhët e komuniteteve joshqiptare, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj./arbresh.info/

 

Lajmet më të lexuara