Mbretëria e Bashkuar i vendos sanksione Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit

11:27 | 9 Dhjetor 2022

Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj Zvonko Veselinoviqit, Milan Radoiçiqit dhe Slobodan Teshiqit, si pjesë e masave të saj globale kundër korrupsionit.

Milan Radoiçiq, një biznesmen nga industria e ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe, thuhet se “ka përfituar nga përvetësimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’u dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të tij të ndërtimit”.

“Zvonko Veselinoviq, biznesmen në industrinë e ndërtimit në Kosovë, shfrytëzon kontratat publike për të përvetësuar fondet shtetërore”, thuhet në shpjegim.

Veselinoviq dhe Radoiçiq janë, gjithashtu, në listën e zezë të SHBA-së për shkak të përfshirjes së tyre në krimin e organizuar ndërkombëtar dhe autoritetet e Kosovës i lidhin edhe me vrasjen e politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviq.

“Slobodan Teshiq, një tregtar i njohur armësh nga Serbia, akuzohet për ryshfet ndaj kryeprokurorit të shtetit të një vendi tjetër”, thuhet në shpjegim.

Në mesin e pesë të huajve që janë sanksionuar për vepra kundër korrupsionit janë Ilan Shor, kryetar i partisë Shor në Moldavi, i dyshuar për përfshirje në skandalin e mashtrimit në një bankë moldave në vitin 2014, si dhe Vladimir Plahotniuq, një biznesmen dhe ish-politikan i arratisur nga drejtësia moldave, i përfshirë në kapje dhe korrupsion të institucioneve shtetërore të Moldavisë.

“Duke veshur xhepat e tyre me korrupsion dhe vjedhje, aktorët e korruptuar kanë një efekt korroziv në komunitetet rreth tyre – duke minuar demokracinë dhe duke privuar vendet nga burimet jetike për përfitime të tyre. Si rezultat, mbi 2 për qind e PBB-së globale humbet nga korrupsioni çdo vit”, thuhet në postimin e Qeverisë britanike.

Më 9 dhjetor, ministri i Jashtëm, James Cleverly, njoftoi për masat e ndërmarra si pjesë e një vale të re sanksionesh që synojnë individët e korruptuar dhe ata që shkelin dhe abuzojnë me të drejtat e njeriut, si dhe autorët e dhunës seksuale në konflikte.

Sanksionet e së premtes përfshijnë objektiva nga 11 vende në 7 regjime sanksionesh – që njëherësh janë sanksionet më të shumta që Britania e Madhe ka grumbulluar ndonjëherë në një paketë.

Kjo valë sanksionesh, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, është një kontribut për Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Në paketën e sanksioneve janë individë dhe subjekte të përfshira në një gamë të gjerë aktivitetesh serioze – duke përfshirë torturimin e të burgosurve, mobilizimin e trupave për përdhunimin e civilëve dhe mizoritë sistematike.

“Këto sanksione tregojnë përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur shoqëritë e lira dhe të drejtat e njeriut të të gjithëve, kudo”, tha Qeveria britanike./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale