Mbi 30 mijë kosovarë ia mësynë bregdetit shqiptarë gjatë vikendit

07:37 | 6 Gusht 2018

Fillimi i muajit gusht ka shtuar fluksin e hyrjeve të shtetasve nga Kosova në Shqipëri, me destinacion bregdetin e këtij vendi.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Kukës, rreth 30 mijë shtetas nga Kosova dhe vendet e rajonit kanë hyrë në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit (e shtunë – diel) nëpërmjet pikës kufitare të Morinit, me rreth 5.300 automjete, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë që në të njëjtën periudhë kanë lënë Shqipërinë dhe janë futur në Kosovë 17 mijë shtetas, shumica emigrantë nga Kosova që shkojnë për pushime në vendlindje, me rreth 4 mijë automjete.

Për përballimin e fluksit të rritur në këtë periudhë, Pika e Kalimit Kufitar në Morin ka mbajtur në punë 10 sportele, 7 në hyrje dhe 3 në dalje. Sipas burimeve, në pikun e lëvizjes hapen edhe 2 sportele të tjera shtesë, duke e çuar në 12 numrin e atyre që përpunojnë të dhënat e hyrje-daljeve në këtë pikë.

Pjesa më e madhe e shtetasve që hyjnë në tokën shqiptare kanë si destinacion bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet, por ka edhe nga ata që përdorin Rrugën e Kombit si pikë transiti.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara