Ministria e Punëve të Brendshme, për të tretin vit me radhë, organizoi konferencën ndërkombëtare “KosovaPAR 2025”, e cila këtë vit u fokusua në një temë tejet aktuale dhe sfiduese: “Capacity in Public Administration for or through AI?”.
Kjo temë trajton mënyrën se si inteligjenca artificiale (AI) po ndikon dhe do të ndikojë në ndërtimin e kapaciteteve në administratën publike, transmeton Arbresh.info.
Në njoftimin e MPB-së, thuhet se konferenca synon të rrisë ndërgjegjësimin për rolin thelbësor të Reformës së Administratës Publike (PAR) si një parakusht për integrimin evropian dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Këtë vit, në një kontekst të përshpejtuar digjital, fokusi i diskutimeve lidhet ngushtë me transformimin që sjell AI në qeverisje dhe administratë.
Në fjalën hyrëse, ministri i Punëve të Brendshme, Xhela Sveçla theksoi rëndësinë e inteligjencës artificiale për përmirësimin e kapaciteteve të administratës publike dhe angazhimin e qeverisë për një administratë profesionale, transparente dhe të orientuar drejt qytetarëve. Ai vuri në dukje se kjo konferencë ndërkombëtare është një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat.

Ministri Sveçla përmendi se qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në reformimin e administratës, duke miratuar ligje dhe strategji që synojnë një sistem meritokratik dhe efikas. Ai gjithashtu theksoi sfidën e integrimit të teknologjisë dhe AI-së në shërbim të qytetarëve, duke ruajtur gjithmonë fokusin te nevojat njerëzore.
Në përfundim, Sveçla inkurajoi pjesëmarrësit të përfitojnë nga kjo konferencë për të avancuar administratën publike të Kosovës dhe i uroi mirëseardhje të gjithë delegatëve ndërkombëtarë.
Zëvendësministri i MPB-së, Bardhyl Dobra, vuri në pah rëndësinë e organizimit të konferencës KosovaPAR 2025, duke theksuar se në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues nga pesë kontinente, gjë që e bën atë një platformë të rëndësishme ndërkombëtare.
Gjithashtu, theksoi se inteligjenca artificiale në reformat e administratës publike duhet të përdoret në mënyrë sa më të duhur. Ai theksoi nevojën për organizimin e trajnimeve për stafin, në mënyrë që AI të forcojë formimin dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Në këtë konferencë, folës kryesor ishte Alistair Croll, sipërmarrës dhe autor nga Kanadaja. Panelistë të tjerë ishin prof. dr. Catherine Althaus, raportuese e konferencës dhe profesore në Universitetin e Uellsit të Jugut (UNSW Canberra), Australi.
Konferenca po zhvillohet sot dhe nesër, përmes 14 paneleve, 2 sesioneve kryesore dhe 1 tryeze të rrumbullakët, me pjesëmarrje nga niveli i lartë shtetëror, komuniteti diplomatik, akademikë, zyrtarë publikë, shoqëria civile, si dhe përfaqësues nga rajoni dhe më gjerë./Arbresh.info

Hamza kujton 11 marsin e ‘81-ës
Aksion kundër nxjerrjes ilegale të thëngjillit në Vushtrri, ...
Fenerbahce kontakton Vedat Muriqin për ta bindur Fisnik Asll...
Ukraina godet fabrikën ushtarake ruse me raketa Storm Shadow...
Fluturimet misterioze mes Tel Avivit dhe Beogradit ngrenë dy...
SPAK zbaton vendimin e gjykatës, i dorëzon Veliajt në parabu...