Matësit e shpejtësisë në Prishtinë nuk identifikojnë veturat

14:02 | 6 Mars 2016
M. A.

Komunikacioni rrugor në Prishtinë është çdo ditë i stërngarkuar me automjete të ndryshme, duke bërë që rrugët e kryeqytetit të shndërrohen në kaos të vërtetë. Meqenëse numri i automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet është dukshëm i madh edhe aksidentet nuk janë të pakta, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës vetëm për dy muajt e parë të viti 2016 në qytetin e Prishtinës kanë ndodhur 183 aksidente rrugore, prej tyre 120 me lëndime, ndërsa 63 me dëme materiale.

Mirëpo, në mënyrë që të identifikohet shpejtësia e automjeteve dhe zonat në të cilat ka raste më të shpeshta të tejkalimit të shpejtësisë, tash një vit Komuna e Prishtinës në disa rrugë ka vendosur disa matës të shpejtësisë.

Disa semaforë dhe gjithsej 8 matës në lokacione të ndryshme, por më prioritet lokacionet ku ka shkolla, komunës së Prishtinës i kanëkushtuar rreth 150 mijë euro. Këta matës të vendosur që të ndikohet edhe në uljen e aksidenteve rrugore, puna e vetme që bëjnë është që të identifikojnë zonat në të cilat tejkalohet shpejtësia, pa identifikuar targat e automjetit që tejkalon shpejtësinë.

Edhe pse disa prej këtyre pajisjeve janë vendosur para një viti, Komuna e Prishtinës ende nuk i ka dërguar ndonjë raport Policisë së Kosovës, duke u bazuar në rezultatet e dala për këta matës.

Se nga këta matës identifikohet vetëm numri i automjeteve qëkalojnë shpejtësinë e caktuar për rrugë të caktuara, për KosovaPress e konfirmoi edhe zyrtari i lartë për sinjalizim horizontal dhe vertikal në komunikacion nga Drejtoria e ShërbimevePublike, Mbrojtjes dhe shpëtimit,nëKomunën e Prishtinës, Halil Halili.

 

Edhe pse këta matës nuk identifikojnë saktë automjetet që kalojnë shpejtësinë e caktuar, Halili tha se janë vendosur në ato zona në të cilat ka më shumë aksidente dhe aty ku këmbësorët janë më të rrezikuar nga ngasësit të cilët nuk respektojnë limitet e caktuara të shpejtësisë.

Por, sipas Halilit ende nuk ka ndonjë bashkëpunim konkret me Policinë e Kosovës,në lidhje me të arriturat nga këta matës. Këtë mungesë të bashkëpunimit ai e ka arsyetuar me mungesë të planit operativ.

 

Ai shtoi sepuna në disa prej këtyre matësve është ende duke vazhduar, pasi deri më tani ka pasur vazhdimisht instalime të moduleve, mes softverëve.

Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, sipas Halilitdo të ndodh në të ardhmen. Ai theksoi se është duke u shqyrtuar mundësia që të nxirret nja raport nga segmentet rrugore ku janë të vendosur këta matës, në mënyrë që edhe të ketë bashkëpunim me Policinë.

 

Halili gjithashtu shtoi se një mundësi tjetër e cila është duke u shqyrtuar është ajo që këtyre matësve t’u shtohen edhe kamerat.

Këta matës të shpejtësisë janë të vendosur në rrugët “ Nazmi Gafurri”,“Dr. Shpëtim Robaj”,“Vëllezërit Fazliu”, “Rruga e Zagrebit”,“Tahir Zajmi”, “Enver Maloku”,dhe në rrugën “Isa Kastrati”.

Shpërndaje në rrjete sociale