Politika shqiptare ka reaguar njëzëri për zhvillimet e fundit në Maqedoninë fqinje, e cila mbrëmjen e së premtes i hapi rrugën ndryshimit të emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, pas miratimit në Kuvend të nismës për ndryshime kushtetuese me 80 vota pro.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati zgjodhi një shprehje të Nelson Mandelës për të përshëndetur votimin në Parlamentin e Maqedonisë për çështjen e emrit.
“Mandela thoshte ‘Gjithmonë të duket e pamundur diçka, derisa të realizohet’. Votimi në Parlamentin maqedonas për ndryshimet kushtetuese është një hap i madh drejt zbatimit të marrëveshjes së Prespës. Një demonstrim i qartë i bashkëpunimit politik, që hap rrugën drejt BE-së dhe NATO-s”, shkruan në Twitter kryediplomati shqiptar Bushati, i cili uron homologun e tij Nikola Dimitrov, por edhe zv.kryeministrin shqiptar Bujar Osmani, transmeton top channel.
“Gëzuar ditëlindjen Republika e Maqedonisë Veriore. Urime të përzemërta kryeministrit Zoran Zaev dhe të gjithë atyre që luftuan për këtë moment historik. Një derë e re e të ardhmes u hap sot për dy popujt tanë në Republikën e Maqedonisë Veriore”, shkroi një ditë më parë kryeministri Rama në Twitter, duke u bërë i pari zyrtar shqiptar që përshëndeti votimin.
Ndërkohë, arritja e qeverisë së Zaevit u përshëndet edhe nga presidenti Ilir Meta.
“Votimi në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap i rëndësishëm shprese e besimi, se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është në rrugën e duhur. E përgëzoj qeverinë e kryeministrit Zaev për përpjekjet e vendosura në këtë drejtim dhe të gjithë ligjvënësit e Kuvendit të Maqedonisë për mbështetjen e një procesi, që jo vetëm çliron Maqedoninë nga një ngërç integrimi disavjeçar, por ndikon edhe në sigurinë, stabilitetin e mirëqenien e rajonit tonë”, shkruan Meta në Facebook.
I fundit që ka reaguar është kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha, duke e përshëndetur edhe ai votimin e Kuvendit të Maqedonisë.
“Mbrëmë, Parlamenti i Maqedonisë i hapi rrugën ndryshimeve kushtetuese, që mundësojnë anëtarësimin e saj në NATO. Përzemërsisht përshëndes këtë hap dhe ndryshimet e pritshme kushtetuese, proces që do të na bashkojë edhe si aleatë rreth vlerave të përbashkëta euroatlantike”, shkruan Basha në rrjetet sociale.
“Shqipëria është në një nivel tjetër”, Rama për buxhetin 202...
Besim Hasani garon për deputet në listën e PDK-së
Nesër fillon “Java Kundër Korrupsionit 2025”
Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistrua...
Hegseth: Gjermania, aleate shembull për shpenzime në mbrojtj...
Slot mund të shkarkohet, një legjendë e klubit mund të bëhet...