Manastirliu në Kamëz: Edukimi arma më e fortë

17:28 | 24 Nëntor 2021

Në prag të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, kanë nisur fushatën e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj grave.

Duke nisur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale turin lëvizës me autobusë që do të jenë në të gjithë Shqipërinë në 16 ditët e aktivizimit, Ministrja Ogerta Manastirliu, së bashku me përfaqësues nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studentë, u ndalën në Kamëz, në etapën e parë të këtij turi.

“Duhet të bëjmë më shumë për të rritur ndërgjegjësimin. Ajo çfarë kërkohet është të shkojmë në çdo shtëpi, të shkojmë tek çdo grua, që të ndjejnë se nuk janë vetëm. Unë besoj fort që edukimi është arma me të cilën ne mund t’i luftojmë këto fenomene. Ndaj jam e kënaqur që nëpërmjet kësaj strukture lëvizëse, që është një strukturë që bashkon të gjithëve, të mundemi që ta fillojmë këtë rrugëtim, duke filluar nga shkollat. Besoj fort që shkollat, edukimi, janë arma më e fortë dhe arma që të sjell liri, sepse çdo akt dhune, është kufizimi i lirisë. Ndryshimi fillon nga brezi i ri. Fillon nga të rinjtë tanë, fillon nga fëmijët, nga edukimi i tyre”, theksoi Manastirliu.

Në ndalesën e parë të turit në Kamëz, Ministrja Ogerta Manastirliu, Kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli dhe përfaqësues të shoqërisë civile morën pjesë në aktivitetin ndërgjegjësues të organizuar në gjimnazin ‘Ibrahim Rrugova’.

“Të gjitha inistitucionet e shtetit janë në këmbë, që nga shkolla, tek Policia e Shtetit, tek insitucione të cilat janë përgjegjse direkte për ofrimin e shërbimeve, tek qendrat sociale në territor, tek shërbimet sociale në bashki, edhe shërbimet sociale në nivel kombëtar, tek institucionet e kujdesit shëndetësor, tek të gjithë ato mekanizma, të cilët bëjnë të mundur që këto fenomene të parandalohen, trajtohen, të kurohen në kohë, por edhe për t’i dhënë mundësi të gjithë viktimave të dhunës, të mund të riintegrohen dhe riintegrimi ka lidhje me fuqizimin”, tha Manastirliu.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli në fjalën e tij u shpreh: “Kjo fushatë që ka nisur sot nuk do të thoja që është një fushatë dy javore. Kjo nis dhe duhet të vazhdojë 365 ditë. Nëse ne nuk e denoncojmë dhunën, nëse ne pajtohemi me dhunën, është shumë vonë pastaj për të vazhduar më pas kurimin e saj”, tha Suli.

Fushata ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore zhvillohet nga datat 25 Nëntor-10 Dhjetor. Slogani mbarëkombëtar në këto ditë të fushatës është: “Bëje Botën Portokalli: Të ndalim dhunën ndaj grave, tani”. Janë 250 aktivitete të cilat do të zhvillohen nga MSHMS së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile, me të gjithë organizatat dhe institucionet. Njësia lëvizëse do të jetë kudo nëpër Shqipëri në këto 16 ditë të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara