Madhështia e dasmave mbetet tek veshjet tradicionale të nuseve, dimitë me jelek më të kërkuarat

12:01 | 22 Maj 2022 | Sahide DEDUSHI

Madhështia e dasmave mbetet tek veshjet tradicionale të nuseve, dimitë me jelek më të kërkuarat

Ani pse ndodhemi në një kohë kur dasmat kanë filluar të marrin pamje perëndimore, veshja tradicionale e nuseve shqiptare mbetet elementi kryesor i pandryshuar, shkruan arbresh.info.

Veshjet tradicionale të nusërisë kanë filluar të bëjnë gërshetimin në mes të modernes dhe tradicionales, e kërkesat vetëm sa janë rritur akoma më shumë.

Puna e bërë ndër vite nga rrobaqepëset sot është duke u shpërblyer akoma ma shumë madje ka shumë vajza që i duan dhe i posedojnë ato për të ndjerë më afër kulturën, traditën dhe zakonet e nuseve shqiptare ndër vite.

Ajshe Hoti, rrobaqepëse për rreth 20 vjet, për arbresh.info rrëfen me detaje punën e saj ndër vite dhe përkushtimin e saj ndaj kësaj pune, që për të është pasion e profesion në të njëjtën kohë.

“Prej 2005-tës e kam lokalin por kam punu edhe më parë, që nga paslufta. Është punë e mirë është punë që e bënë me qef dhe nëse e bën me qef, kjo punë gjithmonë është e mirë. Për momentin shumë kanë hyrë në trend po shihet që ka një interesim më të madh”, tha ajo.

E vajzat të cilat vendosin të martohen një gjë të tillë nuk e bëjnë pa pasur veshjen tradicionale dimitë me jelek.

“Shumica e nuseve nuk martohen pa i pas veshjen që u ba tradicionale që u ba dimitë e jelek, mandej disa i preferojnë edhe dallamen, komplet mandej fustanet ka porosi edhe me qep fustane të nusrisë, vellot”, tregoi ajo.

Rrobaqepësja për ne tha se në një kohë kjo veshje filloi të humbas interesimin.

“Tash ka kërkesa më shumë sidomos vajzat nga diaspora më shumë vinë, edhe ka kërkesa prej tyre më shumë. Dasmat dukën ma madhështore me këto veshje ose vajzat që banjë kanagjegj tash këto vitet e fundit po bëjnë kanagjegje edhe nëpër restorante kanë qef me i ndrru sa ma shumë”, rrëfeu Hoti.

Kërkesat për këto lloj veshje janë të ndryshme.

Ka nga ato që madje hezitojnë që të besojnë në preferencat e ofruara nga rrobaqepësja.

“Kërkesat janë të ndryshme nuk mundem me saktësua, ka që ndoshta dimitë e jelekë i blenë mirëpo fustanet  i marr me qera se edhe e kanë bërë si modë njerëzit e veshin dy herë, e po donë mos me pas të njëjtin fustan, kështu që po e preferojnë më shumë me marr me qera edhe është më e arsyeshme”, tha ajo.

Koha e internetit ka bërë që puna lehtësohet në aspektin e krijimi të një modeli, pasi që sipas Ajshës, më parë për të bërë një model të është dashur kohë.

Madje ajo për ne demonstroi edhe një nga këto veshjet moderne.

“Tash është koha e internetit më përpara është dashtë me ba mund me e qit një model, tash ki modele veç hyn në internet e gjanë modelin kudush, përshtatesh pak a shumë me materialet, sepse tash ka edhe materiale të mjaftueshme në vendin tonë ka, edhe tash makineria është më e përsosur, gjitha gjërat janë më lehtë.”

Veshja dimitë me jelek mbetet veshja kryesore e të gjitha regjioneve në Kosovë.

“Kjo veshja e dimij e jelek është prej moti, prej kur jam martu edhe unë, dhe m’doket që tana rajonet dimije e jelekun e kanë veshja e parë e nusërisë që e marrin, po ka ndryshime ka dallime ka tash shumë kush tash po stilizohet edhe tradicionalja po kombinohet, me modernen edhe po qesim veshje të ndryshme, përpara me pas një mitan me punime dore dhe me ardhë fustani i qelun, kama e hapur dhe me këto kombinime diçka del bukur”, rrëfeu ajo.

Pa dyshim që konkurrenca e madhe në treg në këtë veprimtari ka bërë që të ndihet tek profesionistët.

Por për Ajshën ajo se çka i ofron klientit dhe puna e saj mbetet padyshim besimi që klientët e saj e kanë ndaj saj.

Nuk ka dyshim që madhështia e çdo vajze në ditën e saj më të bukur klasifikohet me këtë veshje madje të mbash në trupin tënde traditën, kulturën, zakonin të bënë të rrezatosh pasuri jetësore./arbresh.info/S.D/